Universiteti “Aleksandër Moisiu”, në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve dhe të Artistëve Durrës, organizuan hapjen e ekspozitës me piktura ndër vite të piktorit durrsak Ardian Tragaj.

Është biblioteka e pasur e këtij instiucioni të dijes që mirëpriti në ambientet e saj piktorin e njohur Tragaj, i cili është fitues i çmimit të madh të Unionit Evropian të Arteve si dhe shumë çmimeve të tjera kombëtare. Të ftuar ishin studentë, pedagogë dhe dashamirës të artit e të pikturës si dhe njerëz të letrave.

“Arti i Tragajt vjen si metaforë e kaosit të përbotshëm në të cilin endet qenia. Edhe pse disa tipare të këtij arti e shprehin lidhjen me kontekstin shqiptar, filozofia e përgjithshme e tij është universale. Paraqitja demoniake e trajtave të së keqes evokon pashmangshmërisht katarsisin e brendshëm, sepse kur qenia e sheh në sy frikën e vet, atëherë ka shpëtuar përgjithmonë nga pushteti i saj”, tha midis të tjerash Dr. Marisa Kërbizi, zv. Dekane e Fakultetit të Edukimit, në çeljen e ekspozitës.

Në këtë aktivitet, të ftuarit vlerësuan maksimalisht punimet e paraqitura. Poeti durrsak, Agim Bajrami e konsideron artin e artistit durrsak si “një udhëtim në mbretërinë e pikturave të Ardian Tragajt”.

Kjo ekspozitë vjen pas suksesit të merituar të Tragajt në tetë ekspozita të çelura në Itali dhe USA.   

K.H.