Kur shohim poezinë turke të periudhës osmane (nga shekulli XIII deri në vitin 1922), ne po dëshmojmë gjithashtu një proces historik. Në periudhën osmane, siç e dimë, gratë nuk përfshiheshin në jetën shoqërore, nuk mund të arsimoheshin në shkollat ​​islame (medresetë). Gjithçka që ato mund të bënin atëherë ishte të shkruanin. Asokohe ky vërtet që mund të konsiderohej një akt i guximshëm, dhe disa gra otomane e shfrytëzuan këtë mundësi për vete dhe për brezat në vazhdim.

Por vetëm një grua që i përkiste një familjeje të pasur mund të bëhej poeteshë; ndërkohë ajo arsimohej në shtëpi, ndaj nuk mund të shprehte veten në aspektin e feminizmit.

Mund të përmendim Mihri Hatun, e cila në poezinë e vet merret me çështjet e grave me vendosmëri. Ajo jetoi midis viteve 1460 dhe 1506 në Amasya, një vend i gjallë për shprehje artistike ku jetonin dhe fëmijët e Sulltanit.

Poetesha të tjera të kësaj periudhe janë Zeynep Hatun, Fitnat Hanim, Sheref Hanim, Lejla Hanim. Gjithashtu njohim dhe  emrat e Emine Beyza, Benu Çankirili, Arife Baci, të cilat shkruan tjetër literaturë popullore nga ajo e Divanit (poezi klasike otomane).

Me krijimin e republikës, gratë fituan të drejtat e tyre dhe gjetën mënyra të reja të shprehjes, në sajë të Ataturkut. Midis tyre janë Şükufe Nihal Başar (1896-1973) dhe Halide Nusret Zorlutuna (1901-1984). Gratë e arsimuara në atë kohë flisnin dhe njihnin edhe gjuhë evropiane, përveç arabishtes dhe persishtes.

Gruaja e parë që u është përkushtuar problemeve të statusit të grave, në mënyrë personale dhe sociale, në Turqinë moderne ishte Gülten Akin (lindur në 1933), e përshkruar nga disa kritikë si "poetja nënë". Me hijeshi dhe delikatesë, ajo tregon jetën në shtëpinë e amvisave të thjeshta dhe nënave; stili i saj është modest dhe aspak dekorativ.

Në një nga esetë e saj, ajo shkruan: "Krijimtaria mund të jetë një mënyrë për t’u rebeluar, kështu që kreativiteti i grave është me të vërtetë një rebelim, dhe do të vazhdojë për aq kohë sa ky diskriminim absurd nuk do të marrë fund. Gruaja moderne nuk e pranon pozicionin e saj të tanishëm, të paracaktuar nga fati dhe vuan më shumë faktin e të qenit  e pakënaqur dhe e palumtur, sesa ndalesat dhe shtypjen ".

Në një nga poezitë e saj "Qyteti mori fund," ajo shprehet se, "Burrat kanë  lindur nga marrëzia e vet / kurse gratë / e kanë përmbylluar veten brenda mitrave të tyre / dhe luajnë me sekretet !" (Dhe atëherë u plaka, 1995).

Sennur Sezer, e lindur në vitin 1943, shkroi për çështjet shoqërore, veçanërisht ato të grave, në poemën e saj "Uria është Buka më bajate" (Abstrakt).

Poema e Nilgün Marmara (1958-1987) ka karakteristika anglo-saksone. Ajo shkroi një tezë mbi Sylvia Plath. Ajo ndikoi mbi poete si Lale Müldür e Gülseli İnal. Në poezinë e saj, hasim shpesh vdekjen dhe dëshpërimin; gjithashtu vërejmë teksa jetësi drejtohet plot zemërim: "Kam mbetur nën ortekun / që im atë e shkaktoi" ("Atlas i gjakut").

Një tjetër poeteshë, Lale Müldür (e lindur më 1956), është një figurë interesante dhe krijuese në poezinë moderne turke. Vargjet e saj janë plot referenca që duhet të njihen, kështu që lexuesit duhet të udhëzohen për t'i kuptuar ato. Ajo i ka prezantuar poezitë e saj, jo vetëm në Turqi, por në botë; fjalët e saj delirante duket sikur i përkasin një ëndrre, kështu që poezia e saj nuk ka unitet dhe është e vështirë të kuptohet.

 Puna e saj intelektuale mund të konsiderohet eksperimentale: "Gratë gjithnjë thurnin me grep dhe nuk kishin kujtesë" ("Kujtimet e një gruaje dhe të një vendi, Anemone").

Didem Madak (1970-2011) ka adaptuar një stil narrativ dhe ironik në poezinë e saj, ajo shkruan në trajtën e një monologu – sikur flet me veten e saj – në lidhje me problemet e njerëzve që jetojnë në periferi të qyteteve, veçanërisht në mesin e grave. Poezitë e saj mund të quhen "tregime moderne mbi varfërinë". Ja një varg: "Je një kujtim tashmë."

Poezia e Birhan Keskinit (e lindur më 1963) përvijohet rreth temave të dashurisë dhe natyrës. Ajo, shpesh shkruan në kohën e tashme. Ja një varg: "Kur nëna jote të refuzoi/ unë të mora dhe të  mbështolla me lëkurën time".

Bejan Matur (e lindur në vitin 1968) është Kurde-Alevi, por shpesh flet për Islamin Sunni, duke përdorur gjuhën e teksteve të shenjta. Zëri i saj bën jehonë mbi tregimet tradicionale. "Më vodhën nga  një përrallë / vetëm nëna ime e di" (Erërat gjëmojnë përmes pallateve).

Ia vlen të përmenden dhe Gülseli Inal (1947), Leyla Şahin (1954), Neşe Jasin (1959) dhe, në mesin e brezave të rinj, e mirënjohura Muesser Yeniay.

Vargjet e saj kanë në fokus çështjet e grave. Muesser  ka lindur në Izmir, Turqi në vitin 1984. Është diplomuar në Universitetin “Ege”, në Letërsi dhe Gjuhë angleze.

Gjithashtu ka fituar çmime të shumta në Turqi, duke përfshirë edhe Junus Emre (2006), Homeros Atilla Ilhan (2007), Ali Riza Ertan (2009) dhe Enver Gökçe (2013).

Poezitë e M. Yeniay janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, serbisht, arabisht, hebraisht, italisht, greqisht, indisht, spanjisht dhe rumanisht. Ajo ka përfaqësuar Turqinë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Sarajevë (Bosnje-Hercegovinë), në shtator të vitit 2010; në atë të Nisanit (Izrael) në maj 2011; në atë të Beogradit (Serbi) në shtator 2012; në Voix Vives (Francë) në korrik 2013; Kritya Festivali Ndërkombëtar të Poezisë (Indi) në shtator 2013, dhe në Galatasve / Antares (Rumani) në qershor 2014.

Ajo është gjithashtu drejtoreshë e revistës letrare Şiirden (mbi poezinë) dhe është anëtare e PEN dhe e Sindikatës së Shkrimtarëve të Turqisë. Aktualisht po vazhdon doktoraturën për Letërsinë Turke, pranë Universitetit Bilkent, Ankara. Më poshtë mund të shijoni disa vargje të saj:

 

Flladi që fryn nga poezia  (Fragment)

Kam zvarritur dhembjen në poezi

Siç zvarrit deti

sirenën e tij në breg.

 

Ky është vendi i një vajze

Që rri si tulipan

Mbi këmbët e saj.

 

Pulëbardha të më presë

Unë do t'i sjell më të bukurin qiell…

Përshtati në shqip: Gladiola Busulla