Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, promovoi projektin e saj “Durrësi, qyteti i mozaikëve” duke pasur partner shkollën 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi” dhe shoqërinë private “Alba Mosaici Albania” në muzeun arkeologjik të Durësit.

Në vazhdën e politikave të saj “Edukimi nëpërmjet trashëgimisë kulturore dhe qasjes didaktike”, DRKK Durrës i shndërron këto site në shkolla të vërteta. Projekti konsiston në disa pika tha Ledion Lako, drejori i Monumenteve të Kulturës në Durrës.

Projekti nisi me prezantimin i një seti fotografish të mozaikëve në site të ndryshme të zbuluar në Durrës, duke nisur nga  mozaiku  i Bukuroshes së Durrësit, mozaiku i Orfeut, Bazalika Arapaj, mozaiku i kapelës në Amfiteatër (unikal paretal), mozaiku me Hipokampus, mozaiku i pallatit të Sportit dhe mozaiku me Zvastika.

Specialistët restauratorë, kanë demonstruar para fëmijëve teknikat për të krijuar mozaikët me gurë sipas madhësive dhe ngjyrave që ata kanë në realitet.   

Gjatë aktivitetit është bërë e mundur ekspozimi  i  disa vlerave me mozaikë të punuar artistikisht nga artistë durrsakë si: Gavril Priftuli, Nikolet Vasia, Nelo Lukaçi, Qazim Kërtusha, Amarildo Reçi, dhe firma “Alba Mosaici Albania” me një grup mozaikësh që eksporton dhe jashtë shtetit e cila ishte suport i madh për realizimin e këtij projekti didaktik.

DRKK Durrës do vazhdojë me këto projekte dhe do mbështesë iniciativa në lidhje me edukimin e fëmijëve nëpërmjet trashëgimisë e vlerave kulturore, herë duke u prezantuar si organizator i projekteve të rëndësishme e herë dhe si mbështetës i tyre siç ishte rasti i pak muajve më parë i projektit “Argjila, Aseti i Qytetit Tim”.