Klubi i Artit dhe Kulturës Sigal në Durrës javën e kaluar mikpriti shkrimtarin Stefan Çapaliku, i cili prezantoi dy vëllimet e parë të ciklit romanesk “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”, publikuar nga Botimet Fishta.

I konceptuar në formën e një bashkëbisedimi me gazetarin Gëzim Kabashi, takimi tërhoqi interesimin e dhjetra artdashësve dhe intelektualëve nga qyteti bregdetar.

Çapaliku, i njohur më së shumti si dramaturg dhe regjisor, ka hedhur në këtë vepër kujtimet dhe përshtypjet e fëmijërisë dhe rinisë nga qyteti i lindjes, Shkodra.

I ndihmuar edhe nga fotot e viteve 1970-1980, kur zhvillohen ngjarjet e librit, si dhe nga pyetjet ngacmuese te gazetarit Kabashi, shkrimtari, i është rikthyer edhe disa prej personazheve që ai vizaton në roman, rreth 130 të tillë.

“Janë njerëz me histori të jashtëzakonshme, të cilat nuk mund të mos i shkruaja"– tha Çapaliku duke iu referuar bashkëqytetarëve të tij.

Për më shumë se një orë, dy bashkëbiseduesit mbajtën të ndezur interesimin dhe vemendjen e dëgjuesve, të cilët në fund e duartrokitën gjatë autorin Stefan Çapaliku.