Për tre ditë me radhë qindra nxënës të 19 shkollave të sistemit 9-vjeçar të qytetit të Durrësit janë vënë në garë për interpretimin më të mirë të këngëve patriotike.  Aktiviteti vjen në edicionin e tretë të Festivalit të këngëve korale.

Janë 570 nxënës të cilët vijnë të ndarë në kore sipas shkollave që përfaqësojnë dhe interpretojnë këngë patriotike shqiptare nga periudha të ndryshme të lavdishme të historisë tonë kombëtare.

Për tre ditë me radhë, fëmijët e shkollave publike e jo publike të Durrësit, vijnë me një repertor të ngjeshur të përzgjedhura nga një juri profesionistësh tha Arian Plaku, organizator i aktiviteteve masive.

Plaku nënvizoi se janë fëmijë të talentuar të cilët interpretojnë këngë të ndryshme patriotike me pjesëmarrje prej 30 nxënësish për çdo kor.

Avni Çuni, drejtor i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës, theksoi se në prag të festave të nëntorit e të fundvitit kjo qendër vjen me një numër të madh aktivitetesh kulturore që prezantohen edhe në 70 vjetorin e krijimit të QKF-së.

Fituesi i festivalit dhe çmimet priten të ndahen në 17 nëntor.

K.H.