Shqiptari Ermal Meta dhe Fabrizio Moro janë fituesit e Festivalit të Sanremos për vitin 2018. Dyshja rrëmbeu çmimin e parë me këngën “Non mi avete fatto niente”. Në vendin e dytë u rendit Stato Sociale, ndërsa në të tretin Annalisa.

Meta dhe Moro e shkruajtën tekstin e këngës së tyre pas atentatit në Manchester, në koncertin e yllit amerikan të pop-it Ariana Grande.

Ditët e fundit, kënga ishte në qendër të polemikave sepse akuzohej për shkelje të rregullave të Festivalit, për shkak se kishte ngjashmëri me një këngë të prezantuar në 2016-n, autor i së cilës ishte Moro.

Meta dhe Moro kanë arritur të lënë gjithçka pas krahëve dhe me performancat e tyre të jashtëzakonshme fituan zemrat e italianëve duke i bërë më të votuarit në këtë festival.

Në fund, produksioni vendosi që “Non mi avete fatto niente” mund të vijonte garën. Për të dy artistët, kjo është hera e parë që fitojnë çmimin e madh në Festivalin e Sanremos.