Ajo është padyshim një nga vajzat që tashmë me pak mundim ka arritur të bëhet e njohur në vendin fqinj, Itali. Edhe pse ka ikur e vogël nga vendlindja, mbesa e ish-presidentit të Shqipërisë, Beniada Nishani tashmë për herë të parë do të jetë pjesë e një prej filmave më të lakuar në Itali, ku regjisor është fituesi i çmimit Oscar, Paolo Sorrentino. Filmi që flet për jetën personale të njërit prej politikanëve më të njohur në Itali, Berlusconit, dashurive që ka pasur në jetë dhe shumë prapaskenave të tjera.

Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, Beniada na rrëfen ndjesinë e të qenit pjesë e një kasti kaq të rëndësishëm. Ajo ka folur, gjithashtu, edhe për ndjesitë e saj në rolin e njërës prej të dashurave të politikanit të njohur si dhe si u zgjodh të ishte pjesë e këtij filmi.

Keni marrë pjesë në një nga filmat më të lakuar në Itali ku dhe pjesa e parë ishte premierë para disa ditësh. Si ndiheni të jeni pjesë e kastit të filmit?

Jam e nderuar që kam marrë pjesë në këtë film me një regjisor kaq të rëndësishëm dhe me famë. Ishte eksperienca ime e parë në kinema dhe mund të them se s’kishte si të niste më mirë.

Cili është roli i Beniadës në film?

Në film jam një nga femrat që Berlusconi ka dashur, flirtuar dhe frekuentuar. Një nga shumë vajzat që e admironin. Në film kam xhiruar edhe një skenë me një gjarpër të vërtetë. Ishte një eksperiencë me shumë emocion.

Si u përzgjodhët ju për këtë rol?

Kanë bërë audicionet në gjithë Italinë. Në fillim mora pjesë për lojë, pastaj avash- avash duke ecur përpara me audicionet, u kthye në një sfidë personale. U mundova të luaj sa më mirë rolin tim dhe Paolo Sorrentino (regjisori), gjatë xhirimeve ishte trajneri im i vërtetë. Kërkonin një vajzë që nuk kishte probleme me gjarpërinjtë, kështu improvizova sikur isha admiruese e tyre.

Ju do të kishit parapëlqyer të luanit tjetër rol? Cilin?

Sigurisht që do të më pëlqente të kisha një rol si protagoniste, por si eksperiencë e parë duhet të ndihem me fat që luaj në krah të aktorëve më të rëndësishëm të kinemasë italiane dhe jo vetëm.

U përfol se filmi cenonte jetën personale të Berluskonit. A është e vërtetë? A dini të ketë pasur reagime nga vetë personazhi kryesor?

Në film flitet për Berlusconin, por jo vetëm, flitet për dashuri, për fuqi, për frikëra dhe për ëndrra. Filmi nuk është një dënim për Berlusconin dhe në asnjë mënyrë një analizë politike. Është një film që nëpërmjet një prej personave më influentë flet për Italinë dhe italianët.

A ka pasur ndonjë problem filmi në publikimin e tij?

Nuk ka pasur probleme për aq kohë sa s’kishte arsye për të menduar për mospublikimin e filmit. Po flasim për një nga regjisorët më të mirë të kinemasë dhe një shtëpi produksioni si Indigo Film. Çfarëdo tematike të trajtojë filmi, duhet parë si i tillë.

A ka pasur ndonjë incident që keni arritur ta mbuloni mirë gjatë xhirimeve?

Në përgjithësi nuk ka pasur probleme, vetëm gjatë xhirimeve duhet të puthja Riccardo Scamarcio dhe gjatë xhirimeve ecja me taka në terren. Ndërsa më ndodhi që taka ngeci dy herë në terren dhe na është dashur ta xhirojmë skenën disa herë derisa të dilte siç duhej. (Qesh) Mbase kanë menduar se nuk kam dashur ta bëj këtë skenë.

A do të pranonit të merrnit pjesë në ndonjë film erotik? A keni pasur propozime?

Nuk më pëlqejnë filmat erotikë dhe nuk kam parë asnjë të tillë.

A keni pasur ndonjëherë ndonjë reagim nga ish-presidenti Nishani lidhur me faktin se jeni bërë pjesë e fotove dhe tashmë filmave që dilni nudo ose gjysmë e zhveshur?

Nishani është një person shumë inteligjent dhe nuk mendoj se ka ndonjë kundërshtim për këtë gjë. Nëse është dikush që mbase mund të më thotë diçka, ai është babai im. Por për fat vij nga një familje që e ka kuptuar punën time dhe nuk më pengojnë, por më japin kurajë për çdo hap e zgjedhje të jetës sime. Mbase nga të gjithë, vëllai im është ai më xhelozi. Do më duhet ta punësoj si bodyguard për ta bërë të jetë më i qetë.

Cili ka qenë komplimenti më i bukur që keni marrë nga roli që keni pasur në film? Nga cili ka qenë?

Komplimentet ishin të ndryshme, në veçanti nga një person që s’do ta mendoja asnjëherë që do të më thoshte fjalë të tilla. Fjalë të thëna plot me kurajë e këshilla për të përballuar një rrugë të vështirë por mbushur me shumë kënaqësi.

Në një intervistë për “Donna”, një revistë italiane, keni thënë që simpatizoni Berluconin dhe që do të donit ta takonit. Po në Shqipëri kë simpatizoni nga politikanët?

Thashë që e admiroj Berlusconin dhe, nëse do më jepej mundësia për ta takuar, do të ishte një nder i madh. Por në Shqipëri, sinqerisht nuk e di as kush është në politikë për momentin. Politika shqiptare pasqyron gjendjen e popullit dhe sinqerisht nuk kam parë ndryshime të mëdha veçse ndërtime me beton. Nëse do të jetë dikush që do të jetë i aftë të bëjë ndryshime do të ketë sukses dhe do të arrijë të përflitet nga të gjithë. Me siguri nëse do të isha në Shqipëri do të mendoja të rizgjidhja Bujar Nishanin, sepse i duhet dhënë kohë për të treguar jo vetëm me fjalë, por edhe me fakte. Populli duhet t’i jap kurajë politikaneve të pastër, sepse për fat të keq, një person i vetëm nuk mund të bëjë diferencën. Nëse vërtet bashkimi bën fuqinë, të nisim të gjithë së bashku ta kërkojmë këtë ndryshim.

Ju shohim shpesh me projekte nga më të ndryshmet. Çfarë rezervon Beniada së shpejti?

Do të më pëlqente të shkruaja një libër autobiografik. Si një demonstrim që sakrificat dhe vullneti të çojnë në vlerësime të mëdha. Kam ardhur në Itali si emigrante dhe jam krenare për rrugën “e vogël- të madhe” që kam bërë. Vitet e para në Itali nuk ishin aspak të thjeshta. Kudo që do të më çojë jeta, edhe nëse s’do të jem një person që ka arritur suksesin, do të jetë një sukses për mua. Por, nëse do të arrij të ngre lart emrin e shqiptarëve në Itali, do të rikthehem në vendlindje për ta përmirësuar atë. Siç thotë dhe babai im, si populli shqiptar në botë, nuk është askush që ka vlerat tona. 

/Gazeta Shqiptare/