Një grup nxënësish të shkollës së mjeshtërisë sportive të Durrësit, “Benardina Qeraxhia”, me në krye mësuesit e tyre, kanë sfiduar të ftohtin e acartë këto ditë shkurti, duke treguar edhe njëherë zotësitë e tyre dhe përgatitjen e fortë fizike.

Të zhveshur vetëm me pantallona, në një terren të ashpër malor si ai i Voskopojës, këta djem të rinj ushtrohen dhe luajnë teksa bien reshje dëbore.

Sfida ndaj të ftohtit ka qenë më tepër argëtuese për ta, të cilët nën ritmet e një kënge të ideuar nga Admir Dizdari, këndonin në kor teksa vraponin në mes të dëborës së dendur, e mbi të gjitha të zhveshur!

Nxënësit e shkollës, të specialiteteve të ndryshme, si: futboll, basketboll, peshëngritje dhe vrapime të mesme e të gjata, improvizuan lojë mbi e nën borë, 1600 metra mbi nivelin e detit në Voskopojë, duke sfiduar vështirësitë e terrenit.

Ekipi:

*Operator xhirimesh: Julian Rakipi

*Asistencë mjekësore: Astrit Zhupaj

*Protagonistë udhëheqje në lojë: Erald Lila dhe Bekim Abrazhda

*Monitorimi dhe kujdesi artistik: Alma Keta Oshafi

Gjatë këtyre aktiviteteve sportive, kanë qenë të pranishme po ashtu edhe vajzat e shkollës, të cilat nën trajnimin e mësueseve të tyre, janë ushtruar sipas specialiteteve përkatëse.