E kishte pritur shumë gjatë këtë moment dhe donte ta bënte të veçantë, siç do e ëndërronte çdo vajzë. Publikisht, në një ambient tejet masiv e të ndjekur nga qindra sy kureshtarë, Edi i është ulur në gjunjë Nadës, duke i ofruar unazën e martesës.

Të gjithë këtë surprizë për të fejuarën e tij ai e organizoi me stafin e “Ka një mesazh për ty”. Edi ishte shumë i emocionuar, ndoshta aq sa ishte në momentin kur i dha puthjen e parë, që vulosi dashurinë mes tyre.

Përballë moderatorit Ardit Gjebrea, ai rrëfeu historinë e njohjes me vajzën e ëndrrave të tij. Gjithçka nisi në dhjetorin e vitit 2012 kur Eduarti, në atë kohë 19 vjeç dhe në universitet, ftohet nga një shok dhe e dashura e këtij të fundit, për të marrë pjesë në një mbrëmje gjimnazistësh. Në mënyrë që të mos ishte vetëm, ai kërkoi që shoqja t’i gjente një shoqëruese për atë mbrëmje dhe menjëherë ajo i propozoi mikëshën e saj Ernaldën.

“Shoqja i pëshpëriti diçka në vesh asaj dhe gjëja e parë që ajo (Ernalda) ka thënë: Unë me atë? Kurrë! Ti je qeros dhe kjo është një gjë që s’ka për të ndodhur kurrë”, tregon Edi për momentin e parë të prezantimit me Nadën.

Siç ndodh zakonisht në raste të tilla, refuzimi është gjithmonë “joshës” për të këmbëngulur më tej. Shoqja i foli vazhdimisht Nadës për Edin, të cilit i ngeli “fiksim” që ta bënte për vete vajzën.

Asokohe Edi punonte kamarier dhe me shumë vështirësi merrte leje për pak minuta që të shkonte në shkollën e Nadës e të shfrytëzonte 15 minutëshin e pushimit të gjatë që ta takonte.

Një ditë ajo ia bëri me shenjë që të futej brenda dhe Edi nuk nguroi të kapërcente mbi hekurat e rrethimit të shkollës. Në katin e tretë të shkollës, ai mundi të fliste vetëm për vetëm me Nadën dhe mesa kuptohet duhet të ketë qenë aq bindës në fjalët e tij sa arriti t’i rrëmbejë dhe puthjen e parë. Ky ishte momenti i lidhjes, por edhe i vështirësive në rritje për ta mbajtur gjallë dashurinë e tyre.

Nada shoqërohej vazhdimisht nga familjarët e saj dhe i vetmi moment i takimit mes dy të rinjve ishte ai 15 minutëshi i “shenjtë” i pushimit në shkollë. Tre muaj më vonë Edi takoi babain e Nadës, i cili i kërkoi që të njihej me familjen e tij. Por mesa duket Edi nuk ishte ende gati për këtë hap sepse donte që të mbaronte dhe shkollën.

“Unë isha shumë skeptik dhe kisha shumë frikë! Nuk doja që ai të takonte familjen time se isha i vogël. I thashë që më vjen keq, por nuk mund të takoheni me familjen time sepse unë nuk jam i gatshëm për asnjë lloj gjëje! Kisha shkollën dhe shumë gjëra të rëndësishme”, tregoi Edi për përgjigjen e tij ndaj kërkesës së të atit të Nadës.

Ndaj dhe prezantimi i familjeve u shty për një kohë të gjatë. Për tre vite të tjera çiftit i duhej të takoheshin me minuta të numëruara, derisa erdhi momenti i shumëpritur për familjet.

Në atë periudhë babai i Edit ishte i sëmurë rëndë dhe mjekët i kishin dhënë shumë pak kohë jetë. Me pëlqimin e familjes, vendosi që të takojnë prindërit e Nadës, në një datë që përkonte dhe me 20-vjetorin e lindjes së vajzës.

Meqënëse gjithçka shkoi mirë, dy të rinjtë menduan se tashmë do ishin të lirë për të shijuar takimet me njëri-tjetrin.

“Isha shumë i kënaqur sepse realisht në ato momente edhe unë u çlirova. Tani do dalim si dy flutura domethënë do ishim më të lirë për të patur më shumë kohë bashkë”, u shpreh ai.

Por në fakt ata u përballën me një sprovë të fortë. Edi u angazhua me Forcat e Armatosura si ushtarak dhe iu desh për një kohë të gjatë që të qëndronte larg Nadës për shkak se ishte me mision jashtë Shqipërisë.

Malli ndoshta e forcoi edhe më tepër lidhjen mes tyre dhe Edi më i bindur se kurrë, mori hapin e shumëpritur: t’i propozojë Nadës për martesë.

Si rrallëherë, rubrika “Ka një mesazh për ty” ishte zhvendosur jashtë ambienteve të studios në TV Klan për të realizuar dëshirën e Edit për ta bërë sa më romantik propozimin.

Një kushërirë e tij ishte bërë edhe bashkëpunëtorja e emisionit “E Diela Shqiptare” për ta sjellë Nadën në ambientet e qendrës tregtare “TEG”.  Siç ndodh gjithmonë që gjatë programit “E Diela Shqiptare”, moderatori Gjebrea nisi të bëjë mesazhe promocionale. Ai zgjodhi “rastësisht” Nadën nga klientet e ulura në barin ngjitur, për të realizuar reklamën.

Kamerat e fshehura në cepat e qendrës tregtare fokusonin habinë dhe emocionet e saj. Por ajo nisi ta kuptonte se diçka po ndodhte. Këtë e ka vënë re më së miri kur në sfond është dëgjuar kënga e preferuar e asaj dhe e Edit. Trupa e baletit e programit vërshoi përpara duke kërcyer.

Duke kryqëzuar gishtat për fat, i vendosur Edi zbriti shkallët nga kati i dytë për t’u bërë pjesë e koreografisë së balerinëve.

Fjalët e këngës së Bruno Mars e ndihmuan Edin për t’iu afruar të dashurisë së tij, që dridhej nga emocionet. “Dua të martohem me ty” i ka thënë me këngë Edi dhe në gjunjë i ka zgjatur unazën, të cilën ia vendosi në gisht.

Përveç lotëve të gëzimit dhe puthjes, Nada nuk ka mundur të japë përgjigje më të mirë për këtë propozim të guximshëm në publik.  Ajo mundi të thoshte: “Faleminderit shumë! E dija që ishte diçka se kam parë shumë video. Po i thoja që është diçka dhe vetëm kur e pashë…”

/tvklan.al/