Menduan se ia dolën mbanë dhe do të harxhonin për qejfin e tyre 600 mijë euro, të rrëmbyera nga kasaforta e familjes, por kanë përfunduar në pranga.

Kështu u ka ndodhur dy të rinjve italianë, një 31-vjeçari dhe të dashurës së tij 32-vjeçare, që ishin arratisur drejt veriut të Italisë bashkë me shumën e madhe të parave. Pikërisht në very, ata janë arrestuar nga policia.

Vjedhja e parave në kasafortë ishte vënë re nga motra e 31-vjeçarit. Familja e tij kishte një biznes në Romë dhe kursimet ishin mbledhur pikërisht prej tij. Që në fillim vajza dyshoi se shuma e madhe e parave mund të ishte vjedhur nga vëllai dhe e dashura e tij, pasi ata ishin larguar nga shtëpia, pas një grindjeje me prindërit.

Nga ana tjetër, në shtëpi nuk kishte asnjë shenjë se dikush mund të kishte hyrë me forcë dhe të kishte vjedhur paratë në kasafortë.

Në momentin e ndalimit, çifti kishte me vete 330 mijë euro dhe 4 orë, që ndodheshin në kasafortë.