Ermal Mamaqi, pa frikë mund të quhet një nga figurat më të suksesshme aktualisht në botën e televizionit. Në kaq vite protagonizëm në televizion, për Ermalin mund të themi shumë mbiemra që e ngrenë peshë aftësinë e tij për të qenë “personazh” ndër të rrallët në stilin e tij, megjithatë kemi vënë re një detaj. ‘Kundërshtaret’ e Mamaqit në gjithë këto vite, të paktën si moderator, kanë qenë të gjitha femra!

Nëse më herët kur ai ishte një nga aktorët e “Portokalli”-së kishte si konkurrentë aktorë të tjerë meshkuj, me të cilët dashur pa dashur ekzistonte një “sfidë” apo konkurrencë (sigurisht pozitive në rritjen e një aktori) se kush fitonte popullaritet, statusi i moderatorit apo drejtuesitt të një programi i dha Ermalit një sfidë të re, të qenit përballë, për të rrëmbyer protagonizmin, me femrat.

Pas largimit nga show i humorit “Portokalli” Ermalin e pamë si një nga tre protagonistët e “Apartamentit 2xl”, edhe pse duhet thënë se shumë njerëz gjithnjë e kanë identifikuar me figurën e tij këtë program. Prej disa sezonesh përballja e së shtunës mbrëma ishte mjaft e fortë pasi publiku u nda në shikueshmëri mes Big Brother drejtuar nga Arbana Osmani dhe “Apartamenti 2xl” me protagonist tre aktorët.

Për herë të parë përballë çunave ishte një grua. Në atë kohë kishte shumë shikueshmëri dhe kuriozitet për të dyja programet pasi ishin prurje të reja në televizionet shqiptare.

Ka pothuajse një vit që Ermal Mamaqi është bërë pjesë e Tv Klan me emisionin e tij “Xing me Ermalin”, një show që duhet ta pranojmë se ka një ndjekshmëri të lartë. Sezonin e kaluar përballja e tij ishte sërish Arbana Osmani, “konkurrentja” e tij e pandarë me të cilën shpeshherë ka shkëmbyer dhe batuta mbi këtë “duel” të së shtunës. Përballë Ermalit ishte sërish një grua.

Këtë sezon përballja e së shtunës mbrëma mes dy televizioneve do të ndryshojë paksa. Për klëtë sezon nuk do të jetë Arbana Osmani por Luana Vjollca ajo e cila do të zhvillojë një program/prurje të re në Top Channel. Ditën e djeshme moderatorja ka lançuar promon e një emisioni të cilit nuk i është zbuluar ende tematika por që tregon se do e mbërthejë publikun çdo të shtunë përpara ekranit. Pra sërish edhe këtë sezon Ermali do të ketë të njëjtin fat.

Megjithatë, në gjithë këto vite Ermali ka treguar se ata që mund ta konkurrojnë janë shumë të paktë në numër dhe me stilin e tij mund t’i përballojë jo vëtem konkurrentët meshkuj por edhe femrat. Në fund të fundit se si përballohen “femrat” këtë aktori e ka treguar dhe në një film shqiptar me të njëjtin titull, një produksion i cili pati një “boom” shitjesh biletash në Shqipëri. Ermali ka treguar se di të fitojë shumë nga “Femrat” dhe mbi femrat! Ky është një burrë që nuk ka “frikë” nga gratë pasi duhet thënë, vajzat kanë gjithmonë një “feedback” shumë të mirë në ekran! /Blitz.al/