I ftuar në spektaklin më të ri në Tv Klan “Në Kurthin e Piter Pan”, aktori i humorit dhe prezantuesi Ermal Mamaqi i është rikthyer edhe një herë një prej momenteve më të vështira në jetën e tij, kur kishte pësuar një aksident automobilistik në Kosovë.

Mamaqi tha se në momentin e aksidentit nuk kishte përjetuar frikë të madhe, por në momentin që ishte kthyer në shtëpi dhe kishte marrë në krahë të birin nuk i kishte mbajtur dot lotët.

Alketa Vejsiu: Cila është frika më e madhe që ke provuar?

Ermal Mamaqi: Frika më e madhe që kam provuar, të mos më duartrokasë publiku.

Alketa Vejsiu: Ke bërë edhe një aksident…

Ermal Mamaqi: Po, ai ka qenë një moment shumë i vështirë, por nuk është se provova frikë, mund ta them tani një…apo mos zgjatemi…Kam kaluar një situatë të vështirë, d.m.th. ishte e frikshme, por nuk provova frikë të paktën në momentin që ndodhi. Kam bërë një aksident shumë të madh në Ferizaj të Kosovës. Edhe makina ime iku 30 metra larg, doli një rrethrrotullim dhe unë i shkova përballë edhe theva 5 shtylla, makina u bë gjysmë dhe nejse… unë erdha në shtëpi dhe aty e kuptova se çfarë kisha rrezikuar nëse do të kishte ndodhur diçka e keqe. Ishte momenti kur hap derën dhe takoj djalin, ai ishte 3-vjeç në atë kohë. E marr në krahë dhe si asnjëherë tjetër mua më fillon një e qarë dhe djali më shihte dhe thoshte babi po qan… Ai ka qenë një moment shumë i vështirë në jetën time dhe po u them sinqerisht të gjithë atyre shoferëve që e kanë gazin pak të rëndë, mund të vendosni një fotografi të fëmijës suaj aty tek kilometrazhi ku shënon mbi 100 ose mbi 80 dhe do t’ju ulet gazi automatikisht.