Media zvicerane "Blick" ka reaguar pas publikimit të lajmit se në “Festivalin Shqiptar” (Albanian Festival) që pritet të organizohet pas tre javëve në Schaffhausen, janë ftuar edhe dy reperë antisemitë Farid Bang, 31 vjeç dhe Kollegah, 33 vjeç, shkruan albinfo.ch. 

Organizatori i evenimentit “Albanian Festival” është Beslim Memishi, pronar i një autoshkolle në Schaffhausen të Zvicrës. Krahas dy reperëve kontestues, të cilët këndojnë këngë antisemite, kundër homoseksualëve dhe maskiliste aty ishin ftuar edhe këngëtarët shqiptarë si Sabri Fejzullahu, Leonora Jakupi dhe Meda. Por ajo që ka shqetësuar publikun zviceran janë ftesa ndaj dy të parëve: Kollegah (emri civil Felix Blume) dhe reperi me origjinë marokene Farid Bang (emri civil Farid Hamed El Abdellaoui).

Kundër koncertit kanë protestuar disa politikanë zviceranë, të cilët janë të shqetësuar që në Zvicër synohet të mbahet një eveniment që tallet me viktimat e kampit të shfarosjes në Auschvic, ku fashistët vranë mbi 1,1 milionë njerëz.

Mes politikanëve që kanë nënshkruar një letër publike kundër pjesëmarrjes së dy reperëve të lartpërmendur janë Fabian Molina (27), Mattea Meyer (30) dhe Tamara Funiciello (28).

Organizatori Memishi momentalisht ka refuzuar t’u përgjigjet mediave zvicerane për këtë skandal, duke u arsyetuar se është duke dhënë leksione për makinat. Edhe pronari i sallës ku do të mbahet koncerti në 5 maj, Giorgio Behr, ka shtuar për mediat vetëm atë se ai “është qiradhënësi” dhe se nuk mund të parandalojë koncertin.

Kritika edhe në Gjermani

Dy reperët pak ditë më parë fituan çmimin prestigjioz Echo në Gjermani, por edhe ky çmim kaloi me kritika të forta në adresë të jurisë. Autoritetet gjermane kanë theksuar se një çmim i tillë mund të shqyrtohet edhe njëherë. Konkretisht në këngën 0815 të albumit të tyre, reperët flasin për trupat e tyre se janë “më të definuara se të të burgosurve në Aushvic”, ndërsa në një tekst tjetër këndojnë, “unë po bëj një holokaust tjetër me molotov.”