Fati mund të tregohet bujar me dikë, por jo të gjithë dinë ta vlerësojnë. Callie Rogers ishte vetëm 16 vjeç në qershor 2003 kur fitoi lotarinë britanike. Jo pak, por plot 1 milion e 875 mijë sterlina! 15 vjet më pas ajo ka humbur gjithçka, pasi i bëri rrush e kumbulla me drogë, makina e rritje gjoksi.

Tashmë 31-vjeçare, keqardhja më e madhe që ndjen Callie është se nuk ka para për kurimin e djalit të saj të vogël, Blake, 6 vjeç, i cili është i paaftë fizikisht, nuk mund të ecë pa u ndihmuar, nuk mund të flasë e madje as nuk arrin të gëlltitet siç duhet për shkak të një çrregullimi cerebral.

Me shumë mundësi ai do të ketë nevojë për kujdesje gjatë gjithë jetës së tij. Callie e di që gjërat mund të kishin qenë ndryshe dhe rruga për të birin mund të kishte qenë disi më e lehtë nëse ajo do të ishte treguar më e zgjuar me paratë.

“Pjesën më të madhe të kohës nuk më bëhet vonë për paratë”, thotë. “Por keqardhja ime më e madhe është që nuk kam para për Blake. Atij i pëlqejnë stimulimet me sensorë. Sikur t’i kisha paratë, do t’i jepja dhomën më të madhe me sensorë të mundshme”.

Pa dyshim që do të kishte qenë në gjendje t’ia blinte, pasi 15 vjet më parë u bë fituesja më e re e lotarisë milionere britanike. Të gjithë menduan se ajo ia hodhi jetës njëherë e mirë, por nuk ishte e thënë. Në më pak se një dekadë para avulluan.

Pushime, shtëpi – një për mamanë, një për gjyshërit, disa për vete – dhe rritja e gjoksit. Edhe makina të shpejta, disa të blera për të dashurit që nuk qëndronin as sa t’i ikte era e makinës së re. Pastaj droga, ndonëse këmbëngul se nuk ka harxhuar 250 mijë sterlina për të, siç thonë.

“Është qesharake”, thotë. Gjithçka që ka mbetur nga gjithë ato parà është shtëpia e gjyshërve, e cila do të jetë e saj pas vdekjes së tyre. “Kjo do të thotë se nuk kam humbur gjithçka. Të paktën do të mbetet diçka për fëmijët e mi”, thotë.