Mbrëmjen e së shtunës i premtuan njëri-tjetrit besnikëri deri sa vdekja t’i ndante. Në mëngjes herët, pak orë pas dasmës, u nisën për në muaj mjalti. Nuk e dinin se vdekja u kishte ngritur pusi në udhëtimin e tyre të parë burrë e grua.

Mëngjesin e së dielës, një makinë doli nga rruga dhe u përplas me një kamion që ishte ndaluar në autostradën Aydin-Izmir. Sipas agjencisë turke të lajmeve “DHA” nga përplasja e fortë humbi jetën 24-vjeçarja që ishte martuar një ditë më parë, Ozlem Yalin, ndërsa bashkëshorti i saj 28-vjeçar, Ferhat Yalin dhe dy persona të tjerë, u plagosën.

Makina raportohet se drejtohej nga dhëndri. Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e shpëtimit, të cilët arritën të nxirrnin gjallë nga makina tre të plagosurit rëndë, por nusja e re nuk ia doli.

Edhe në disa ftesa të dasmës, që përfunduan në rrugë pas përplasjes, u pa se Ozlem Yalin dhe Ferhat Yalin ishin martuar mbrëmjen e së shtunës me një ceremoni të organizuar në Soke.

Pas dasmës ata ishin nisur për në muaj mjalti, pjesën e parë të të cilit kishin planifikuar ta kalonin në Izmir, ndërsa të dytën në Qipro, por gjithçka përfundoi tragjikisht.