Nuk ka rëndësi se sa orë punoni në ditë, objektivi juaj duhet të jetë ai i shfrytëzimit në maksimum të kësaj kohe. Për fat të keq, pjesa më e madhe e punonjësve amerikanë nuk e përdor këtë mundësi në maksimum.

Sipas të dhënave të Salary.com:

-31% e punonjësve humbin rreth 30 minuta në ditë
-31% e punonjësve humbin një orë në ditë
-16% e punonjësve humbin dy orë në ditë

Dhe këto shifra janë të theksuara veçanërisht në këto ditë dhe kohë, kur produktiviteti ndikon më shumë në promovimin dhe në rritjen e pagës se sa thjesht përvoja. Nëse kërkoni të rriteni në detyrë është e rëndësishme që ju të shmangni shpërqendrimet dhe të përqendroheni në punën tuaj. Më poshtë janë disa nga gjërat që ju marrin më shumë kohë se sa do të duhet të ishte.

1.Përgjigjja email-eve

Email-i është pjesë e jetës, si në punë edhe jashtë saj. Por nëse jeni si pjesa më e madhe e amerikanëve, ju jeni duke shpenzuar shumë kohë duke kontrolluar email-in tuaj dhe duke iu përgjigjur mesazheve. Është vlerësuar se një punonjës humb mesatarisht 17 orë në javë duke iu përgjigjur email-eve të padobishme. Dhe nëse ju punoni 40 orë në javë, kjo është thuajse gjysma e orëve të javës.

Si të veproni në këtë rast? Vendosni filtra në email-in tuaj dhe përgjigjuni vetëm email-eve më të rëndësishme kur jeni i ngarkuar me punë të rëndësishme. Pastaj përcaktoni një kohë për t’iu përgjigjur gjithë email-eve të tjera. Ju nuk e keni luksin të humbni kaq kohë e jo më 17 orë në javë. Ndërkohë që ju nuk mund t’i injoroni mesazhet nga drejtuesit juaj, duhet të jeni më përzgjedhës në çështjet e tjera.

2.Kontrolli i telefonit

Nuk ka dyshim se celularët lehtësojnë komunikimin. Problemi, megjithatë, është që pjesa më e madhe prej nesh kanë vështirësi të lënë mënjanë celularët dhe të përqendrohen në detyrat që duhet të përmbushin. Sipas CareerBuilder, 55% e punëmarrësve thonë se përdorimi i celularëve është problemi më i madh i shpërqendrimit të punonjësve.

Për të mos rënë viktimë në këtë grackë, jepuni familjarëve dhe miqve më të ngushtë numrin fiks të telefonit të punës për t’ju telefonuar në zyrë dhe mbajeni celularin ‘silent’. Kjo do t’ju ndalë t’ju përgjigjeni dhjetëra mesazheve që mund të merrni në një ditë të vetme. Një zgjidhje tjetër është që të vini ‘ringtone’ të caktuara vetëm kontakteve më të rëndësishme për ju, dhe përgjigjuni telefonit vetëm në këtë rast. Sa më pak shpërqendrime të keni nga telefoni, më cilësore do të jetë puna që do të bëni.

3.Pjesëmarrja në mbledhje të parëndësishme

Nëse punoni në një kompani të madhe, nuk ka asgjë që mund t’i shmangë tërësisht mbledhjet. Por nëse nuk jeni të kujdesshëm, mbledhjet e vazhdueshme në sallat e konferencave mund t’ju shkatërrojnë ditën.
Në vend që të harxhoni orë çdo javë në marrjen pjesë në mbledhje pa ndonjë motiv të vlefshëm jini përzgjedhës ndaj atyre që thoni po. Nëse nuk jeni të sigurt për arsyen pse po ju kërkojnë të merrni pjesë në një mbledhje, pyesni drejtuesin që t’ju japë një shpjegim.
Vjen një moment kur shumë mbledhje mund t’ju pengojnë të bëni punën për të cilën jeni punësuar të bëni.

4.Biseda me kolegët

Është bukur të krijosh një marrëdhënie me kolegët dhe nuk ka asgjë të keqe t’i përshëndesni dhe të pyesni një apo dy prej tyre për planet e fundjavës. Por nëse flisni vazhdimisht me kolegët gjatë punës, ka ardhur koha që ju të hiqni dorë nga kjo gjë – besojeni ose jo, ato tre minuta bisedë janë një shpërdorim dhe humbje e madhe kohe. Sa më i madh të jetë rendimenti juaj, aq më cilësore do të jetë puna që do të bëni.
Mos bini viktimë e grackave që ju humbin kohë. Shmangni gabimet e mësipërme, dhe me pak fat do të lavdëroheni dhe shpërbleheni për produktivitetin dhe përkushtimin tuaj.

Burimi: Fox Business, marrë nga "Monitor"