Nxënësit maturantë të vitit 2017-2018 të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës, i dhanë lamtumirën jo vetëm gjimnazit ku studiuan për tre vite, por edhe njëri-tjetrit, në një ceremoni të organizuar prej tyre.

Me një pankartë të madhe ku ishin shkruar emrat e gjithësecilit, me fishekzjarret që shpërthenin, i thanë lamtumirë bankave të shkollës, për të nisur më pas një rrugë të gjatë të jetës.

Nxënësit maturantë kanë dalë nga shkolla duke u duartrokitur nga nxënësit e tjerë të cilët kishin krijuar dy kordone për t’i përshëndetur në të dy krahët e rrugës.

Emocionet kanë qenë të shumta e sigurisht edhe lotët e ndarjes nuk munguan, pasi jeta tani u ofron të tjera rugë e të tjera shtigje për të shkelur, por asnjëherë më bashkë, si në vitet e arta të gjimnazit.

Vite të cilat nuk do të harrohen asnjëherë nga askush, brez pas brezi!

K.H.