Prej një jave në familjen e biznesmenit të suksesshëm shqiptar Shefqet Kastrati, ka nisur festa. Djali i tij Musa Kastrati dhe nusja Adela, martohen sonte në një dasmë me shpenzime marramendëse, detajet e së cilës na lanë me gojë hapur.

Në fakt dasma do të zgjasë tri ditë, por sonte është ceremonia VIP. Si fillim po ju themi se vendi ku do të mbahet ceremonia është ndërtuar enkas për këtë rast.

Një hapësirë e re e luksoze në Vorë, do të mirëpresë sonte dasmorët. 120 mijë euro kanë kushtuar vetëm lulet e sjella nga Hollanda ndërsa ushqimi e servisi kanë ardhur enkas nga Italia.

“RevistaWho.com” ka mësuar se për këtë ceremoni familja Kastrati ka kontraktuar disa agjenci të ndryshme, të gjitha të huaja, për kurimin deri në detajet më të vogla. Peshën kryesore të muzikës në dasmë do e ketë këngëtari i suksesshëm i muzikës popullore shqiptare Sinan Hoxha, ndërsa do të këndojnë edhe yje të tjerë të muzikës shqiptare si Eranda Libohova, Gena, etj.

Me sa duket familja Kastrati nuk ka për qëllim që ta kthejë këtë ditë të gëzuar në ngjarje mediatike, pasi ata janë treguar të rezervuar në gjithçka. Por ne nuk mund të rrinim pa i dedikuar një shkrim, pasi është hera e parë në Shqipëri që bëhet një ceremoni me të tilla përmasa. Në fakt ky ka qenë një vit i mbushur plot me dasma, e njerëzit nuk po dinë se cilën të cilësojnë si “dasma e vitit”.

Duket se një ceremoni që ende s’ka nisur, do të zërë vendin e parë, për nga përmasa, kujdesi e investimi i jashtëzakonshëm që është bërë në të. Do të përpiqemi që në vijim të sjellim të tjera informacione.