Me ëndrrën dhe shpresën për një jetë më të mirë, Rupesh Thomas nga India, u zhvendos në Angli me vetëm 600 paund në llogarinë e tij.

Por tanimë, pas 15 vitesh, 39 vjeçari zotëron një biznes prej 2 milionë paund të prodhimit të çajit “chai” duke furnizuar dyqanet luksoze të “Harvey Nichols”.

I rritur në Kerala në jug të Indisë, Rupesh u obsesionua me Anglinë dhe ishte i vendosur për të zbuluar nëse rrugët e Londrës ishin apo jo të shtruara me ar. Ditën kur mbërriti në Statford, Z.Thomas filloi punë në një nga restorantet e “McDonad’s”.

“Paguhesha 4 paund në orë. Ishte punë e vështirë, por gjithmonë buzëqeshja. Shihja biznesmenë dhe më bëri të kuptoja që kjo ishte ajo që unë në të vërtetë doja të bëja,” shprehet ai për Daily Mail.

Pas disa javësh Rupesh gjeti një punë të dytë si kujdestar para se të bëhej agjent shitjesh derë më derë në vitin 2003. Shumë shpejt ai u kthye në shitësin më të mirë të kompanisë dhe u ngrit në detyrë. Në vitin 2015 me 150 mijë paund në llogarinë e tij, Thomas vendosi t’i investonte paratë për të krijuar “Tuk Tuk Chai”, një investim që padyshim i’u kthye.

“Gruaja ime Alexandra më frymëzoi pasi ajo e adhuron çajin “chai”. Kur ishim në Indi ajo pinte më shumë se 10 gota në ditë. Në Angli e prodhonin më parë një çaj të tillë por ishte me shumë sheqer dhe nuk përbëhej nga gjethe, kështu që më lindi ideja nëse mund të nisja ta prodhoja,” tha Rupesh.

Sot sipërmarrësi indian zotëron një pronë prej 1 milion paund në Wimbledon dhe një shtëpi të dytë me vlerë rreth 350 mijë paund në Croydon.