Në vitet e fundit, muaji nëntor mund të konsiderohet si aspak pozitiv porsa i takon ndarjes nga jeta të emrave të njohur të muzikës, artit, politikës dhe spektakleve. Ndoshta një koeçidencë e frikshme kjo që ndodh në nëntor, duke nisur nga 2013, për të vijuar më pas me vitet në vazhdim.

Disa nga emrat e njohur që humbën jetën në muajin nëntor mund t’i lexoni si më poshtë:

Sokol Olldashi – Politikani i nderuar i Partisë Demokratike humbi jetën më 20 nëntor të vitit 2013 si pasojë e një aksidenti tragjike gjatë orëve të mbrëmjes. Mëngjesin e 21 nëntorit,  shqiptarët dhe veçanërisht të afërmit e Olldashit, u zgjuan të tronditur nga lajmi se ish- ministri i transporteve në kabinetin Berisha ishte shuar papritur. Sokol Olldashi u nda nga jeta në moshën 42-vjeçare duke lënë pas bashkëshorten dhe dy djemtë e tij.

Dr Flori – Ishte mbrëmja e 17 nëntorit të vitit 2014, ku këngëtari Florian Kondi, i njohur si “Dr. Flori”, humbi jetën në spital si pasojë e një mbidoze. Kjo ngjarje tronditi opinion publik, teksa të nesërmen në lajme do të lexonin për largimin e parakohshëm nga jeta të një prej këngëtarëve më të dashur në Shqipëri. Dr. Flori na ka dhuruar muzikë të bukur që prej fillimit të viteve 2000. Flori la pas bashkëshorten e tij Blerinën dhe dy fëmijët, Kaltrinën dhe Danielin.

Elida Cangonji – Më 28 nentor, krejt në heshtje dhe pa asnjë lajmërim mediatik, ndërroi jetë si pasojë e leucemisë akute Elida Cangonji. Të gjithë e mbajmë mend vajzën me emrin Zana në filmin shqiptar “Rrugë të bardha”, rol i dashur për publikun luajtur nga aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare. Cangonji ushtronte profesionin mjekes psikiatre prej 30 vjetësh.

Megi Yzeiri – Më 24 nëntor të 2014-ës, ish-balerina e Tv Klan, Megi Yzeiri u nda nga jeta si pasojë e vetvrasjes. Megi Yzeiri studionte në vitin e tretë për koreografi dhe në 2013-ën ka qenë një nga balerinat në betejën koreografike të zhvilluar tek ‘E Diela Shqiptare’.

Ergi Dini – Nëntori i kaluar ishte i mallkuar për familjen Dini, pasi mbrëmja e 21-nëntorit i mori atyre njeriun më të dashur, Ergin. Një nga zërat më të veçantë që kemi dëgjuar në Shqipëri, u nda nga jeta një vit më parë si pasojë e një aksidenti me motor, ku së bashku me të do të largohej edhe djali i gazetares Erestina Halili, Kejdi. Të dy djemtë ishin në lule të rinisë, dhe kjo ishte një dramë më vete. Ergin e priste padyshim një karrierë e suksesshme përpara, pasi i kishte dhënë të gjitha provat.

Aleksandër Lalo – Mbrëmjen e 20 nëntorit të vitit 2017 u nda nga jeta kompozitori i mirënjohur Aleksandër Lalo. Të gjithë u habitën dje teksa lexonin në media lajmin për ndarjen nga jeta të maestros së njohur, i cili në ato çaste ishte duke u parë nga teleshikuesit në emisionin “Ces’t la Vie” në televizionin Klan. Maestro Lalo humbi jetën si pasojë e një arresti kardiak në moshën 68-vjeçare. /syri.net