Sherri mes motrës dhe vëllait për një videolojë ka përfunduar tragjikisht me vdekjen e një 13-vjeçareje në Mississippi të SHBA-ve.

Sipas policisë, 9-vjeçari ka qëlluar për vdekje me pistoletë të motrën e tij pasditen e së shtunës pasi ajo nuk i jepte levën e videolojës.

“BBC” thotë se sipas raportimeve, i mituri e qëlloi të motrën nga pas duke i shkaktuar plagë në tru.

13-vjeçarja e humbi jetën në Spitalin e Memphis, teksa mbetet ende enigmë se ku e kishte marrë fëmija armën.

Sherifi Cecil Cantrell deklaroi se nuk dihen ende pasojat me të cilat 9-vjeçari do të përballet.

“Ai është vetëm 9 vjeç. Supozoj se diçka të tillë e ka parë në videolojëra ose në TV.  Nuk e di nëse ai e dinte ekzaktësisht çfarë do të shkaktonte. Nuk mund të përgjigjem. Ajo që di është se kjo është tragjedi.”