Ilir Meta e ktheu një pjesë të Presidencës në një “stadium” të vogël mbrëmjen e së dielës, ku së bashku me dashamirës të futbollit, por edhe me zëvendësambasadorin e Zvicrës dhe ambasadorin e Brazilit ndoqi ndeshjen mes dy kombëtareve.

Në një lidhje direkte pas ndeshjes me show-n sportiv “Top Arena” zbuloi se nuk është tifoz as me Gjermaninë, as me Brazilin apo ndonjë tjetër kombëtare të madhe, por me Zvicrën e 4 lojtarëve me origjinë shqiptare.

“Jo në këtë ndeshje ndaj Brazilit, por edhe më herët, unë kam qenë tifoz i Zvicrës”, u shpreh Presidenti Meta.

Ndërkohë, zëvendësambasadori i Zvicrës në vendin tonë u shpreh se me pak fat dhe pak kujdes, Zvicra mund ta kishte mundur Brazilin, por më pas ai vlerëson amerikanolatinët si një skuadër mjaft e fortë dhe që do shkojë larg në këtë Botëror.