Kur Papa Françesku puthi vogëlushen Gianna Masciantonio në vitin 2015, shumë e panë si një sinjal inkurajues, pasi ajo ishte diagnostikuar me tumor në tru.

Shpresat e mbijetesës ishin aq të pakta sa doktorët i thanë familjarëve që vajza e tyre nuk do arrinte të festonte as ditëlindjen e saj të parë, por ajo ia doli.

Pak ditë pas ditëlindjes, Papa Françesku vizitoi qytetin e saj. Ai e mori në krahë dhe e puthi krejt rastësisht. Që prej atij momementi jeta e Giannas ndryshoi.

Gianna vuan edhe nga histiocitoza, një sëmundje e rrallë gjaku që e bënte të pamundur ndërhyrjen kirurgjikale për të hequr tumorin.

Vogëlushja iu nënshtrua kimioterapisë dhe tashmë do të nisë ciklin parashkollor.

“Nga ajo që pashë kur e diagnostikova, nëse do të më thonit që tani ajo do të vraponte dhe do të niste parashkollorin, do të thoja që ishit çmendur. Thjesht ishte e pamundur”, thotë mjeku Phillip Storm.

Për të festuar shërimin e plotë të Giannas, prindërit i dhuruan spitalit pediatrik 50 mijë Dollarë.  Madje ata krijuan dhe një fondacion për fëmijët që vuajnë nga kanceri.

Papa Françesku nuk e dinte gjendjen e saj kur e puthi, por më pas ai u interesua për shëndetin e saj.

Sipas mediave amerikane nuk dihet nëse puthja e tij e shëroi vogëlushen, por zhdukja e tumorit i ka befasuar të gjithë mjekët që e ndoqën sëmundjen e saj.