Që hajdutët mund të marrin çfarë të duan kur hyjnë në shtëpi, këtë e dinë të gjithë!

Por ajo që ka habitur një qytetar të Durrësit, të cilit një natë më parë i është vjedhur me thyerje shtëpia, ka qenë ajo çfarë ka marrë me vete hajduti.

Shtetasi A.K. 49 vjeç, banor në lagjen nr.14 ka konstatuar kur është kthyer në shtëpi, se banesa i ishte ‘vizituar’ nga hajduti.

Nga kontrolli që qytetari bashkë me policinë bënë për të verifikuar objektet e vjedhura, rezultoi se vjedhësi kishte marrë me vete enët e kuzhinës.

Kjo vjedhje surprizoi jo pak si banorët e shtëpisë, ashtu edhe policinë.

Kjo e fundit ka nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur hajdutin e tenxhereve.

Ndërkohë, një tjetër vjedhje është konstatuar gjatë natës në fshatin Pjeshkë, Durrës.

Sipas policisë, është vjedhur me thyerje lokali i shtetasit E.H. 44 vjeç, banues në fshatin Pjeshkë, Durrës ku i kanë vjedhur një sasi parash dhe karta rimbushëse të kompanive të ndryshme.

Edhe në këtë rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.