E shtunë fantastike për të gjithë të rinjtë e të rejat e Durrësit, dhe sigurisht për të gjithë ata që zgjodhën qytetin bregdetar këtë fundjavë.

Duke nisur nga koncerti i parë i përmasave të tilla që reperi i famshëm shqiptar Unikkatili mbajti në stadiumin “Niko Dovana”, ku përcolli për spektatorët që kishin shkuar ta shihnin nga pranë, një atmosferë mbarë kombëtare; e duke vijuar më pas me jetën e natës në një nga diskotekat verore pranë urës së Gjermanit në Currila, që tashmë është kthyer në vendin e preferuar ku zbarkojnë artistët më në zë të Shqipërisë e Kosovës; alternativat për argëtim janë të shumta këto ditë të nxehta.

Gushti është dhe muaji më i zjarrtë në Durrës, i cili e gjallëron qytetin dhe e mbipopullon edhe me mbërritjen e shumtë të turistëve dhe emigrantëve. E po në këtë muaj, edhe netët e ‘çmendura’ të të rinjve në Durrës arrijnë në kulmin e tyre.

Diskoja verore e hapur në një nga zonat më të bukura të Durrësit, në rrugën që të çon nga Currila në Kallm, është destinacioni kryesor për të gjithë grupet shoqërore e çiftet që iu pëlqen të dëgjojnë e të kërcejnë muzikë të bukur, të luajtur nga këngëtarë shqiptarë e të huaj.

Dhe në rastet kur këngëtarët janë shumë të dashur, edhe publiku është tejet i zjarrtë. Siç ndodhi edhe gjatë kësaj të shtune që lamë pas e deri në orët e para të së dielës, kur Flor Mumajesi me grupin e tij (Klajdi, Bruno, Dj Vicky, Miri) elektrizuan gjithë të rinjtë e të rejat në club, duke i çuar në adrenalinë pa fund.

DurrësLajm” sjell pamje nga “Cinco Cavalli”, teksa përcjell nga afër organizimin e bukur që bëhet në këtë diskotekë si dhe ekzaltimin e frekuentuesve të jetës së natës.

E nga ana tjetër, në koncertin që nisi në orën pasdite te stadiumi “Niko Dovana”, i pari koncert i këtij lloji në vendin tonë, Unikkatil, reperi më rebel dhe i shumëpërfolur në gjithë rrjetet sociale, performoi për disa orë me radhë deri në mesnatë hitet e tij, tekstet e të cilave kanë krijuar jo pak debate.

I njohur për karakterin e tij enigmatik, pasi shfaqet shumë rrallë nëpër videoklipe, ai doli para spektatorëve durrsakë duke i dëfryer ata me shumë elemente kombëtare.

Të kalosh pushimet në qytetin bregdetar është me të vërtetë mahnitëse, pasi Durrësi ofron të gjitha kushtet dhe resurset e tij të pafundme: nga plazhet me rërë, riviera e mrekullueshme e Kallmit, historiku i qytetit, komoditetet e hoteleve, ushqimet e freskëta si dhe pa harruar netët ekzaltuese në diskot e pafundme edhe përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Pra, nëse doni të kaloni bukur, ejani në Durrës!   

S.L.