Kemi vetëm fatin t’i admirojmë punët e tyre, t’i shohim të demonstruara te modelet apo të famshmit, por është gati e pamundur që fustanet e dizajnuesve shqiptarë t’i kemi në gardërobën tonë.

Jo vetëm që janë shumë të kushtueshme, por një mision i vështirë për të gjetur eventin e duhur për t’i veshur. Shumë xixa, temina dhe tyl, sa do të na duhej të prisnim dasmën e vitit të ndonjë personazhi publik dhe të siguronim një ftesë.

Ato u duhen pikërisht atyre që janë në qendër të vëmendjes, që e planifikojnë axhendën për vitin që më 1 janar dhe i shohim më shumë sesa prindërit nëpër rrjetet sociale.

Por jo vetëm artistet apo moderatoret tona preferojnë të veshin fustanet e dizajnuara nga shqiptarë. Blogeret, modelet apo aktoret kanë zgjedhur që të shfaqen në tapetin e kuq dhe në evente të caktuara me veshjet që mbajnë markën “Made in Albania”, pavarësisht se ku jetojnë.

Valdrin Sahiti

Jemi kaq të njohur me stilin e tij të dizajnit sa mund të pikasnim një veshje që bën Valdrini edhe pa na e treguar kush që ka emrin e tij.

Fustani i tij lejla me dantellë dhe tyl ishte zgjedhja e modeles dhe aktores amerikane, Nicole Ari Parker. 47-vjeçarja u shfaq me fustanin e dizajnuar nga Valdrin Sahiti për të marrë pjesë në dasmën e tenistes së njohur, Serena Williams.

Kjo nuk është hera e parë që një fustan të Valdrinit e shohim të veshur nga një artiste e huaj. Më parë më 27 shkurt të këtij viti, gjatë ceremonisë së “Oscar” fustanin vezullues të tij e veshi Yvon Neojri.

 

Kaonë Duriqi

Fustani i Hirushes i dizajnueses së re Kaonë Duriqi u vesh nga aktorja dhe prezantuesja e njohur amerikane Nikki Novak.

Me këtë veshje kjo e fundit u paraqit në tapetin e kuq të ndarjes së çmimeve “Oscar” të këtij viti.

24-vjeçare tashmë përbën një emër me potencial të depërtojë deri në pasarelat më të njohura të modës.

Katerina Bocci

Katerina Bocci, e lindur në Shqipëri, është një dizajnuese e vlerësuar me disa çmime, e cili ka fituar mirënjohje ndërkombëtare në mesin e elitës së modës dhe të famshmeve, duke përfshirë Aretha Franklin, Fergie dhe Jordin Sparks.

Ajo ka veshur Zonjën e Parë të Miçiganit, Sue Snyder, për një event special me Zonjën e Parë Michelle Obama dhe Presidentin Barack Obama në korrik të 2012-s.

Ajo gjithashtu ka veshur disa personazhe publike në fotografitë e realizuara për revista të ndryshme.

Vjollca Llapashtica

Emri i saj është i njohur në mesin e personazheve publikë shqiptarë dhe të huaj.

Fustanet përrallore të Llapashticës janë të preferuarat e prezantueses në SHBA, Rebecca Stella dhe blogeres Liliana.

Agnesa Vuthaj

Çantat e saj janë kaq të dëshiruara nga të gjitha, ndaj nuk është aspak çudti që këngëtarja dhe prezantuesja italiane, Valeria Altobelli, mban një të tillë.

Egreis Gjergjani

Blogerja shqiptare, e cila jeton në SHBA, ka tashmë markën e saj të veshjeve për fëmijë “Itty Bitty Toes”.

Dhe është marka e zgjedhur për mbesën e Kim Kardashian, vajzën e Rob, Dream, shkruan IconStyle.al.