Teleskopi Hapësinor Hubble ka kapur një nga pamjet më të mëdha panoramike të universit, njoftoi agjencia hapësinore amerikane NASA.

Skena e ashtuquajtur “zjarri dhe tërbimi i lindjes së yjeve në universin e largët” përfshin rreth 15.000 galaktika, rreth 12.000 prej të cilave janë duke formuar yje, njoftoi NASA në rrjetin social Twitter.

Lindja e disa yjeve në pamjet e kapura me teknologjinë ultravjollcë të teleskopit Hubble daton 11 miliardë vite, thuhet në faqen e internetit të NASA-s.

“Drita ultravjollce ka qenë pjesa që mungonte në enigmën kozmike“, tha NASA, duke shtuar se shkencëtarët sot mund të shohin një nga portretet më të plota të universit, duke kombinuar observimet infra të kuqe dhe optike të kapura nga Hubble dhe teleskopët e tjerë hapësinorë.

Teleskopi Hubble, i zhvilluar bashkërisht nga NASA, Agjencia Evropiane Hapësinore dhe Instituti Shkencor i Teleskopit Hapësinor, ka bërë vëzhgime hapësinore në orbitën e tokës që nga viti 1990./AA