Një burrë deklaroi se nuk e kishte kuptuar që bashkëshortja e tij kishte vdekur, pavarësisht se kishte nuhatur një erë të keqe që vinte në shtëpinë e tyre prej gati 1 muaji.

Ngjarja sa e rëndë aq edhe e pabesueshme ndodhi në Chicago dhe u zbulua për mediat nga hetuesit. Sipas asaj që shkruan Chicago SunTimes, autoritetet u shprehën se nëse Steven Seiler do të ishte “shqetësuar” për të hedhur një sy, do të kishte parë trupin e pajetë të bashkëshortes së tij të mbuluar me një çarçaf.

Policia shkoi në apartamentin e çiftit më 10 Dhjetor, pasi kishin marrë një kërkesë për të kontrolluar nëse 58-vjeçarja Tamara Wilson ishte mirë.

Pasi dalluan papastërti dhe një erë të keqe në të gjithë apartamentin, oficerët e policisë hapën derën e dhomës së gruas, të cilën e gjetën të dekompozuar.

Trupi i gruas pritet që t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Marrëdhënia mes bashkëshortëve duket se nuk kishte qenë fort e mirë dhe mësohet se ndaj Seiler ishin ngritur disa herë akuza për dhunë.