Debati Mustafa Nano – Ilda Bejleri merret seriozisht. Ka qenë vetë “DigitAlb” që ka reaguar përmes një deklarate zyrtare, të transmetuar edhe në emisionin Top Show Magazine të kësaj të mërkure në Top Channel mbi këtë debat duke i konsideruar komentet e bëra nga Nano, “një formë sulmi të hapur personal kundrejt dy prej moderatoreve sportive”.

Në deklaratë thuhet ndër të tjera se debati është ngritur gabimisht nga “një joprofesionist i fushës dhe një moderatoreje, e cila në performancën e saj ka tri cilësi në ekran, gazetare, moderatore dhe imazh. DigitAlb vëren me keqardhje, që debati ka mangësi që në zanafillë”.

Platforma televizive me pagesë merr në mbrojtje Ildën se “nëse ka diçka për t’u kritikuar në veshjen, sjelljen, moderimin, gazetarinë, regjinë, cilësinë e transmetimit a të panelit, apo dhe të çfarëdo elementi tjetër të një emisioni, përgjegjësia është e medias përkatëse dhe debati e kritika duhet drejtuar drejt saj”.

Për Ildën thuhet se ajo është njëkohësisht gazetare, moderatore dhe imazh duke shtuar se: “Gjykimi i vetëm njërit element të shkëputur nga të tjerët është thjesht dëshirë për protagonizëm, duke nxjerrë atë element jashtë së tërës”.

Megjithëse pa emër nuk mungojnë as shigjetat e DigitAlb kur shkruan se “televizioni shqiptar vuan nga mungesa e profesionistëve dhe zëvendësimi i tyre me surrogato në moshë të vonuar; vuan nga seksizmi pa profesionalizëm dhe imazhi pa përmbajtje; vuan nga gjithologët që flasin për gjithçka dhe që dalin në çdo studio, e së fundmi edhe si moderatorë programesh, e cila po bëhet një tendencë; nga varfëria e ideve të personaliteteve atelevizive; vuan nga të vjetrit që nuk i lënë vend të rinjve; por mbi të gjitha vuan sepse televizionin e bëjnë ata që nuk e njohin televizionin.

Për të tëra këto ka shumë nevojë për debat, veçse ky debat duhet të vijë nga profesionistët dhe ata që e njohin fushën. Një debat i nisur vetëm për audiencë personale dhe me sulme personale nuk i ndihmon askujt, madje as atij që e nis”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e gjatë të DigitAlb.

Gjithçka nisi nga një koment i gazetarit Mustafa Nano në emisionin e tij “Provokacija” në Abc News i cili e konsideroi vulgare dhe të ekzagjeruar veshjen e gazetareve të Supersport, Ilda Bejlerit dhe Bora Zemani në drejtimin e emisioneve sportive.