Si njeri i medias, me eksperiencë të gjatë dhe të sukesesshme, Blendi Fevziu e di mirë që kur përflitet shumë për një lajm, e mira do të ishte që vetë personi i thirrur në kauzë, të tregojë si qëndron e vërteta dhe Fevziu pranoi të japë një instervistë për “Panorama Plus” ku sqaron nëse do ta lërë “Klan”-in për “Top Channel”, nëse ka pasur ndonjë konflikt me mikun e tij të hershëm Frangajn, sa ndikim ka pasur miku tjetër i tij Ben Blushi etj..

Fevziu pranon se për këtë lajm që tashmë është bërë publik, shumë njerëz e kanë pyetur atë dhe stafin e tij, ndaj pranon të jetë i hapur dhe i drejtpërdrejtë teksa përgjigjet për “Panorama Plus”.

“Disa kohë më parë, në një bisedë me Ben Blushin, drejtorin e ri të “Top Channel”, kemi folur për disa pakënaqësi të miat në “Tv Klan”. Kanë qenë probleme që lidheshin me mënyrën konceptuale dhe funksionale të televizionit, për të cilat ka debate në çdo media. Ben Blushi më bëri një propozim për t’u bërë pjesë e “Top Channel”. Duke parë mënyrën se si ai televizion po fuqizon linjën politike dhe gazetareske pas ardhjes së Blushit, u ndjeva i tunduar nga ky propozim. Deri tani nuk kam marrë asnjë vendim nëse do transferohem në “Top”, apo do të qëndroj në “Klan””, thotë ai.

Fevziu shton më tej, se këtë e ka biseduar me disa nga njerëzit e afërt dhe vendimin do ta marrë shpejt, “në përputhje me shumë ndjesi dhe fakte që kanë rëndësi për mua dhe stafin tim”.