Tashmë nuk është më thashethem, Marina Vjollca, një nga figurat ikonë të “Top Channel”-it është bërë pjesë e televizionit tjetër të madhe, tv Klan.

Pas disa lajmeve që qarkulluan nëpër portale, sot vetë tv Klan, në web faqen e tij të lajmeve, ka publikuar lajmin e bukur se biondja bukuroshe është bashkuar tashmë me ta.

Ja lajmi i publikuar në faqen e ‘tvklan.al’:

Familjes së madhe të Tv Klan i shtohet një tjetër emër i mirënjohur.

Ajo është prezantuesja simpatike Marina Vjollca, e cila do të jetë pjesë e televizionit më të madh kombëtar në Shqipëri sezonin e ardhshëm, që nis në shtator.

Vjollca vjen në ekranin e Tv Klan me një program të sajin, detajet rreth të cilit pritet që të zbulohen nga drejtuesit e televizionit.

Marina Vjollca u bashkohet kështu emrave më të njohur të Tv Klan, si Blendi Fevziu, Ardit Gjebrea, Arian Çani, Rudina Magjistari, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj, Alketa Vejsiu e Aldon Lipe.

Sezonin e kaluar, Tv Klan arriti të bënte pjesë të tijin aktorin e humorit dhe prezantuesin e mirënjohur Ermal Mamaqi, duke sjellë për publikun një prej emisioneve më të suksesshëm në vend, “Xing me Ermalin”.