Vendosja e pllakave ku personalitetet dhe figurat kombëtare e ndërkombëtare të botës së kinemasë kanë lënë gjurmën e prezencës së tyre në Durrës ishte një inisiativë e bordit drejtues të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës dhe bashkisë së qytetit bregdetar. Projekti mori formë të dielën e 6 majit, ku listës së emrave të shquar të nderuar me çmime në këtë eveniment ndërkombëtar, ju shtuan firmat e regjizorëve të njohur Dhimitër Anagnosti dhe atij italian Marco Bellocchio. Vendi i përzgjedhur për të vendosur këto pllaka, që dëshmojnë gjurmën e lënë nga këta personazhe në Durrës është sheshpushimi i Pallatit të kulturës, para teatrit “Aleksandër Moisiu”. Duket se vendi i përzgjedhur ka ngjallur reagime në rrethin e aktorëve dhe artistëve durrsakë. Megjithëse e shohin si një nismë mjaft pozitive, një pjesë e konsiderueshme e të intervistuarve kanë shprehur rezerva për vendin, për shkak se në bazë të planit të ri rregullues të qytetit, ai vendpushim dhe shkallët do të prishen, kështu që sipas tyre është absurde të vendosen aty ku pak kohë më pas do të hiqen sërish. Ndërkohë një shqetësim tjetër i artistëve është dhe fakti se përderisa festivali zhvillohet në Durrës, një vëmendje e posaçme i duhet kushtuar artistëve durrsakë, nderimit të figurave që teatri ka nxjerrë gjatë historisë së tij për më tepër që ky institucion arti, po përgatitet të festojë 60-vjetorin e krijimit.

Mirush Kabashi: Vendimi, jo i drejtë

Ashtu si Pogradeci, që ka në qendër të tij dy figura shumë të shquara, të dala nga ky qytet, Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin, edhe Durrësi duhet të lartësojë dhe nderojë aktorët e regjizorët që e kanë përfaqësuar atë mjaft denjësisht në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare….

Nuk më duket aspak një vendim i drejtë, por më shumë më duket një qëndrim subjektiv, i njerëzve që vuajnë nga komplekse inferioriteti. Vendosen pllaka me emrat e personaliteteve të kinematografisë shqiptare dhe botërore, por ndërkohë që thuajse mungojnë emrat e artistëve durrsakë. Për më tepër kjo tingëllon absurde në një kohë kur si vend për vendosjen e këtyre pllakave është zgjedhur sheshpushimi i shkallëve të pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”. Nuk jam absolutisht kundër nderimit dhe respektimit të këtyre emrave të shquar, por nuk duhet të harrojmë pikë së pari se teatrit të Durrësit, që po bëhet gati të festojë 60 vjetorin, i kanë dhënë jetë breza të tërë artistësh durrsakë. Në rradhë të parë duhen nderuar këto figura që për vite e vite me rradhë Durrësi dhe e gjithë Shqipëria janë krenuar me to. Unë kam një vlerësim shumë pozitiv ndaj Festivalit Ndërkombëtar të Filmit që zhvillohet në Durrës, por të mos harrojmë që ky festival zhvillohet vetëm prej katër vitesh, ndërkohë, aktorët e teatrit dhe varietesë së Durrësit kanë kontribuar për dekada me rradhë në ngritjen dhe konsolidimin e këtij teatri. Ai shesh dhe ai projekt duhet në rradhë të parë të vihet në shërbim të artistëve durrsakë. Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale, Marco Bellocchio, etj. janë respektuar, vlerësuar dhe admiruar nga qytetarët e vendeve të tyre dhe kjo gjë duhet bërë edhe me artistët e Durrësit. Ashtu si Pogradeci, që ka në qendër të tij dy figura shumë të shquara, të dala nga ky qytet, Lasgush Poradecin dhe Mitrush Kutelin, edhe Durrësi duhet të lartësojë dhe nderojë aktorët e regjizorët që e kanë përfaqësuar atë mjaft denjësisht në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare.

Haxhi Rama: Të bëhet kujdes me vendin

Më pëlqen si ide kjo nismë e fundit e bashkisë, pasi më kujton pak a shumë atë që është realizuar në Pogradec. Këtë gjë e kam diskutuar edhe me nënkryetarin e bashkisë Xhulian Varfi dhe gruan e tij Anila, drejtoreshë e festivalit. Unë kujtoj se kohë më parë ishte hedhur si ide ndërtimi i një obelisku, ku të vendoseshin artistët më të shquar, që Durrësi ka nxjerrë në vite. Megjithëse ideja u prit mire, më pas u la pas dore, sepse dolën shumë artistë që do të vlerësoheshin dhe obelisku u duk i vogël për t’i përfshirë të gjithë. Pavarësisht këtij fakti, mua më pëlqejnë projektet që duan të nderojnë figurat e shquara të Durrësit, por është i nevojshëm krijimi i një grupi të mirë pune që do të merret me përzgjedhjen e tyre. Përsa i përket “Rrugës së artistëve” do të thoja se duhet menduar mirë çështja e vendit, pas zbatimit të planit të ri rregullues. Duhet të përzgjidhet një vend, që të nxjerrë sa më shumë në pah vlerat e festivalit dhe njerëzve e figurave që e nderojnë atë.

Hysen Bashhysa: Ide e çuditshme

Mua më pëlqen vendosja e këtyre pllakave, por nuk e di se çfarë kriteri është ndjekur për vendosjen e tyre dhe për më tepër përpara teatrit “Aleksandër Moisiu”. Me të drejtë ata janë emra të njohur, janë artistë të mëdhenj si Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale etj, etj, që janë të njohur dhe i kanë pllakat e tyre në Hollywood. Por të vihen këtu? Para teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku ka aktorë që kanë mbajtur gjallë jetën artistike në qytet edhe më gjerë si Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Marta Burda, Vera Urumi etj? Ka shumë artistë Durrësi. Të vënë dhe artistë shqiptarë. Tinka Kurtin më pëlqen që e vënë para teatrit, por duhen këto kryesorët. Mua nuk më duket e drejtë të vihen emrat e artistëve të huaj. Kjo është kryesorja. Në pjesën që po bëhemi gati të vëmë në skenë “Heronjtë e viagrës” unë kam një batutë që po jua citoj: A nuk të duket se ne po merremi shumë me të tjerët dhe po lëmë pas dore veten tonë? Është vërtet e çuditshme. Ata mirë bëjnë që i vënë këto pllaka, por ka Durrësi të tjerë, ka Shqipëria plot aktorë. Pse pak kemi aktorët tanë? Nuk më pëlqen vendosja e emrave të artistëve të huaj. Ata i kanë emrat nëpër vendet e tyre. Ashtu si shumë rrugë të qytetit të Durrësit, që mbajnë emra të çuditshëm, ashtu më duket dhe mua kjo inisiativë…. e çuditshme.    

Sanie Hoti: Më pëlqen projekti

Dua të nënvizoj se e shoh si një projekt mjaft pozitiv për të kujtuar artistët, sepse në ditët tona është shumë e vështirë që një njeri të lërë gjurmë e sidomos në art. Janë të rrallë njerëzit që ia dalin. Ne kemi artistë me mjaft vlera dhe ata ia vlejnë të evidentohen përmes kësaj nisme. Qoftë figurat që i kanë dhënë shumë artit e tashmë janë ndarë nga jeta, qoftë dhe ata që vazhdojnë ende të kontribuojnë nëpër skenat tona kanë nevojë për t’u nderuar e respektuar. Unë mendoj se grupi i punës që është marrë me këtë është konsultuar me specialistët edhe përsa i përket vendit ku janë vendosur pllakat me firmat dhe emrat e personaliteteve kombëtare e ndërkombëtare, pjesëmarrës në festivalin e filmit në Durrës.

Roland Koça: Vendi, jo i përshtatshëm

Ideja dhe vendi i përcaktuar për këtë nismë është shumë i bukur vetëm se unë kam një shqetësim. Duke parë planin e ri rregullues të qytetit ky vend del jashtë funksionit. Për mendimin tim do ishte më mirë të vendoseshin para galerisë së arteve, sepse aty dhe kalimtarët janë më të shpeshtë. Sipas projektit të ri për qendrën e qytetit vendi ku janë vendosur pllakat me firmat dhe emrat e artistëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë do sghembe, prandaj më vjen keq që kjo nismë e bashkisë dhe e nënkryetarit, Xhulian Varfi, që merret drejtpërdrejt me këtë punë, del jashtë funksionit. Po t’i shohësh, aty ka emra vërtet të shquar aktorësh dhe regjizorësh, e kjo për Durrësin është diçka me vlerë, po siç e thashë kam hallin vetëm të planit rregullues të prezantuar nga bashkia. Nuk e kam fjalën tek shpenzimet, sepse ato që do bëhen do bëhen, por duke pasur parasysh situatën në të cilën jemi edhe shpenzimet kanë vlerën e tyre. Të shpenzosh për të në një kohë kur ajo do prishet… Mua më vjen keq.

Gjergj Doçi: Vendi duhej studiuar më mirë

Realisht si projekt dhe si ide më duket shumë e mirë. Mbase duhej bërë edhe më parë, mbase duhej studiuar vendi. Këtu është vend shumë i përshtatshëm, por plani i ri rregullues e rrëzon këtë, prandaj mbetet për t’u parë se ku do shkojë. Ne kemi bustin e Aleksandër Moisiut në mes të hollit të qendrës kulturore, por ndoshta do t’i shkonte për shtat godinës të merrte emrin teatri “Aleksandër Moisiu”, siç është teatri “Çajupi”, pra teatri duhet të kishte identitetin e vet. Kjo ide do t’i shkonte më për shtat sikur aty të ishte vetë institucioni, kështu e konceptoj dhe e mendoj unë. Megjithatë, koha kur është vendosur asnjëherë nuk është e vonë, por nuk është menduar për të nesërmen. Filozofia jonë në këtë rast është hajt ta rregullojmë e ta prishim nesër. Nuk dua të përfundojmë në fund me hap gropa, mbyll gropa. Po e vulgarizoj shumë problemin, por të ndërmarrësh një nismë të tillë, ta vendosësh pranë një institucioni artistik, që është i lakmueshëm edhe për qytetet e tjera për ambjentet që ka, dhe ta prishim nesër është paradoks.