Leksion i Ambrozias

Postuar: 20/05/2018 - 12:24

Gazetarja Ambrozia Meta

   NGA DR. ZYLYFTAR BREGU

Nuk ndodh shpesh që një Kryeministër të ndërpresë konferencën për shtyp për shkak të pyetjes së gazetarëve! Ca më rrallë, i ndodh kjo Kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili duke shfrytëzuar disa atu personale dhe ato që burojnë nga statusi, i kapërcen pyetjet e sikletshme me batutat që nisin nga fyerjet ndaj gazetarëve e përfundojnë te shantazhet sportive ndaj pronarëve. Por, të premten gazetarja Ambriozia Meta ishte një përjashtim që e nxori Kryeministrin nga kontrolli. Më shumë sesa pyetja, unë mendoj që ishte qëndrimi i gazetares pas përgjigjes së parë të Kryeministrit, që e bëri këtë të fundit të braktiste konferencën për shtyp! Ky gjest i Kryeministrit, që në simbolikën e komunikimit do të thotë të braktisësh lojën, duke i dhuruar fitoren kundërshtarit (nënkupto gazetaren) është komentuar më së shumti, veçanërisht nga njerëzit e medias, dhe sidomos në botën virtuale.

Pavarësisht se në shumicë sjellja e gazetares vlerësohej, kishte nga ata që e akuzonin atë për gazetari aktiviste! Rregullat në gazetari nuk janë kufij të pakapërcyeshëm, por një nga parimet kryesore të gazetarisë, sigurisht për të garantuar lirinë e reporterëve është: “nuk ka pyetje budallaqe”. Krahas kësaj, gazetarët, kur janë përballë Kryeministrit në një konferencë për shtyp, nuk mund të bëjnë vetëm pyetje të mbyllura të tipit: “A është Albert Veliu, Babalja”, se edhe për këtë ai do të përgjigjet se është në pritje të analizave nga laboratori perëndimor! Gazetarët kanë përballë edhe Kryeministrin, edhe kryetarin e Partisë Socialiste. Me cilësinë e dytë, secili syresh ka të drejtë të hartojë pyetje edhe bazuar në analizat politike.

Pyetja e Ambrozias ishte një prej tyre. Ishte pyetja e një pjese të opinionit publik. (Për këtë mjafton të lexosh opinionet dhe komentet nëpër mediat tradicionale, por edhe komentet nëpër rrjetet sociale). Problemi lindi kur gazetarja nisi të replikojë me Kryeministrin. Por, sërish këtu na vijnë në ndihmë standardet dhe parimet. Pyetjet janë të gazetarit, ndërsa përgjigjet janë të personazhit që përgjigjet. Por, në realitetin shqiptar (sidomos kur bëhet fjalë për Kryeministrin që njihet si replikues i fortë me gazetarët), përgjigjet e gabuara nuk janë rezultat i pyetjeve të gabuara. Pyetja e Ambrozias ishte normale. Përgjigja e Kryeministrit ishte anormale. Ai tentoi që të personalizonte replikën, duke i kujtuar Ambrozias pronarin. Që sërish në simbolikën e komunikimit, shkon kah shantazhi. Në këtë pikë, Ambrozia këmbënguli për të marrë një përgjigje me qetësi, siguri dhe artikulim të qartë, duke iu përshtatur përgjigjes së Kryeministrit! Kryeministrin nuk e mërziti pyetja, e befasoi pikërisht replika këmbëngulëse e gazetares, së cilës ia dha mikrofonin “për t’i hequr merakun”.

Pedagog i lëndës “Bazat e shkrimit dhe raportimit të lajmit”, në UT

http://www.panorama.com.al/leksion-i-ambrozias/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: