Nga Fadion Buja

Mosdiskriminimi i personave me aftësi të kuafizuara mbetet një çështje që kërkon vëmendje të veçantë.

Ekziston një kuadër ligjor që sanksionon këtë të drejtë, por zbatimi i tij mbetet domosdoshmëri dhe ndërgjegjësimi i të gjithë aktorëve për të drejtat e këtij komuniteti.

Përparim i kufizuar është bërë në lidhje me personat e cenueshëm nga ana sociale dhe/ose me aftësi të kufizuara, që është pjesë e prioritetit kyç për mosdiskriminimin. Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me vështirësi në aksesin e arsimit, punësimit, kujdesit shëndetësor dhe shërbimet sociale.

Në fushën e punësimit, konstatohet se problematikat kryesore të personave me aftësi të kufizuara janë mungesa e përshtatjes së arsyeshme, niveli i ulët i njohjes së punëdhënësve mbi aftësitë dhe kapacitetet që zotërojnë personat me aftësi të kufizuara, si dhe niveli i ulët i vetëbesimit i personave me aftësi të kufizuara dhe familjarëve të tyre për potencialet që ata kanë.

Para se të ndalesha në të drejtat që parashikon ligji për këtë grup njerëzish dhe me pengesat që hasim në vendin tonë, do të citoja fillimisht se cilët persona bëjnë pjesë në këtë kategori:

“Termi person me aftësi të kufizuara përdoret për të gjithë ata persona me aftësi të kufizuara që kanë dëmtime afatgjata, mendore, fizike, intelektuale, të cilët kushtëzohen nga barrierat arkitektonike për pjesëmarrjen e tyre në të gjithë sferat e jetës”.

Por kush ka të drejtë të punojë?

Neni 20 i kodit të punës, i jep të drejtën për punësim si më poshtë:

-Personave që kanë zotësi të plotë për të vepruar sipas dispozitave të kodit civil.

-Personave me zotësi të kufizuara, por të autorizuara shprehimisht ose në heshtje për të kryer punë nga përfaqësuesi i tyre ligjor.

Personat e përmendur në shkronjën (b) të nenit 20 të kodit të punës gëzojnë të drejta të barabarta në punësim dhe krijimin e kushteve të punës, ato kanë të drejtën të lidhin dhe të zgjidhin kontratën si pjesa tjetër e kontraktuesve.

Konventa për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara:

Konventa për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të personave me aftësi të kufizuara u jep të drejtën personave me aftësi të kufizuara për punësim dhe vetëpunësim. Neni 27 i kësaj konvente mbron të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për punësim, të cilët kanë të drejtë të punojnë njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë. Inkurajojnë të drejtën e punës duke marrë hapat e duhur përfshirë këtu masat ligjore me qëllim ndalim diskriminimin, garantimin për të ushtruar të drejtën e punës, akomodim në vendin e punës, mjedis të përshtatshëm, akses etj.

Punësimi i personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri

Në Shqipëri, punësimi i personave me aftësi të kufizuara mbetet ende një sfidë, të punësosh sot një person me aftësi të kufizuara ndikon pozitivisht në GDP-në e vendit dhe në brendin e kompanisë ku ai mund të jetë i punësuar, dëshmi e kësaj prove është dhe VKM nr. 248 program për nxitjen e punësimin, e cila ka si qëllim nxitjen dhe integrimin e ketyre personave për punësim. Në kodin e punës parashikohen dhe kuota për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, ligji detyron me ligj çdo institucion publik ose privat i cili ka më shumë se 24 punonjës, njëri duhet të jetë person me aftësi të kufizuara, por deri më sot kjo forcë e ligjit nuk ka gjetur zbatueshmëri.

Zyra përkatëse e punësimit financon për punësimin e personave me aftësi të kufizuara punëmarrësin me një financim mujor në masë deri në 100% të pagës në shkallë vendi për 6 muajt e parë dhe 50% të pagës në shkallë vendi për 6 muajt e dytë. Parashikohen përjashtime nga taksat për subjektet që punësojnë këta persona, por ligji sanksionon çdo subjekt i cili ka më shumë se 24 persona të punësuar dhe mbas këtyre kuotave ai duhet të paraqitet pranë zyrës së punës për të bërë të ditur numrin e punonjësve me përputhshmërinë e ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, pra në 24 punonjës një duhet të jetë person me aftësi të kufizuara i punësuar, në të kundërt ligji parashikon sanksione për këto subjekte. Sanksione të cilat shkojnë për krijimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës pikërisht për personat me aftësi të kufizuara.

Shpeshherë themi që ligji detyron subjektet private për punësimin e këtyre personave por në një kohë shteti është ai që duhet të japë shembullin i pari.

*Fadion Buja, aktivist për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të personave me aftësi të kufizuara