Nga Gjergj Thanasi

·        Xhenierët e ushtrisë shqiptare, ndonëse të goditur rëndë nga reprezaljet kundër të ashtuquajturës kastë ushtarake, e treguan veten në lartësinë e detyrës 34 vjet më parë. Dje, bënë fiasko me një palo godinë-karabina

E diela u ofroi shqiptarëve dy spektakle: fotografitë e kryebashkiakut të Kamzës Mziut, botuar nga DITA dhe tentativë-shkatërrimi me eksploziv i ndërtesës pa leje te Fakulteti i Ekonomisë. Dy ngjarjet, tregues për dy pushtetet: I pari, fytyra e Berishës, që vajti e shkoi dhe i dyti, i kryeministrit Rama, që po vendoset. Të parat (fotografitë) tregojnë surratin anadollak, anakronik, qesharak dhe fshataresk të ndjesëpastit regjimit Berisha. Kurse ngjarja te Ekonomiku ishte një tregues kuptimplotë i nevojës për të bërë shtet. Por ky i bekuar shtet bëhet duke braktisur menjëherë maninë për të bërë thjesht spektakël me gjëra të rëndësishme. Për të rrëzuar një ndërtesë karabina, modeste, 5-katesh, por me mure me tulla-tek të lehtësuara, me beton me çimento 400 e me hekur ukrainas, u mblodh ajka e shtetit dhe u thirrën të gjitha mediet. Është e qartë që kjo ngjarje do tregonte realisht forcën e shtetit, nëse llogaritë do ishin bërë pa diletantizëm dhe mendjelehtësi. Fatkeqësisht spektakli dështoi. Dhe për më keq akoma, medieve iu servir varianti i rremë, që shpërthimi nuk kishte për qëllim final shkatërrimin e ndërtesës pa leje, sepse shkatërrimi përfundimtar i saj do bëhej me mjete mekanike (!) Urojmë që ky shpërthim-dështim tek Ekonomiku, qoftë i fundit dhe shërbeftë si mësim, sidomos Ministrisë së Mbrojtjes. Shpërthimet e kontrolluara me shumë mbushje eksplozive nuk janë seminare apo uorkshope në salla me ajër të kondicionuar.

Pak histori për shpërthime të kontrolluara

Do t’ju ofroj në këtë shkrim shembuj nga përvoja shqiptare e botërore për raste të ndryshme shpërthimesh të kontrolluara. Në 17 shtator 1941 ndërsa Kievi ishte nën bombardime të pareshtura të gjermanëve, togerja xheniere 22 vjeçare Evdokija Sobakjevna me vetëm dy kapterë hebrenj të NKVD-së (Sigurimit Sovjetik) minoi me sukses ndërtesën e Obkom-it (Komiteti i partisë bolshevike për oblastin / qarkun e Kievit) në rrugën Kreshçatik. Minimi me plasje të vonuar shkaktoi vdekjen e dhjetëra ushtarakëve gjermanë, përfshirë një kolonel. Minimi i kryer pjesërisht me lëndë plasëse të improvizuara në kushte ekstreme, në ndërtesë thuajse gjigante me mure e themele solide, rezultoi i suksesshëm. Në vitin 1968, gjatë luftimeve për marrjen e qytetit të Hue-së të pushtuar përkohësisht nga komunistët Vietkong, xhenierët amerikanë, në zjarrin e vietkongëve, minuan një pjesë të veprave fortifikuese të kështjellës së Huesë. Katër ushtarë amerikanë nën komandën e kaporalit (lance corporal) Lester Tully e kryen me sukses minimin. Ndër të tjera edhe për këtë trimëri kaporali Tully u dekorua me medaljen e Yllit të argjendtë. Përsëri minim i suksesshëm në kushte lufte nën zjarrin intensiv të armikut. Në rastin e amerikanëve marinsat nuk ishin xhenierë profesionistë, por thjesht kishin kryer përgatitje xheniere gjatë stërvitjes intensive në “Boot Camp” më Amerikë.

Ka edhe dështime, por…

Në raste shpërthimesh të tilla të kontrolluara ka dështime, por justifikohen vetëm me shkaqe të forcës madhore, që mungonin te rasti i Ekonomikut. Kujtoj këtu dështimin e ushtrisë gjermane në tërheqje për të hedhur në erë Urën Ludendorf-Remagen më 7-8 mars 1945. Ura nuk u shkatërrua plotësisht njëlloj si te pallati i Ekonomikut, jo për shkak të mungesës së profesionalizmit apo të trimërisë së ushtarëve gjermanë, por sepse tritoli me fuqi të lartë shpërthyese i ish-minave detare u shkatërrua nga bombardimet dhe u zëvendësua nga halli me amonit malor me forcë shpërthyese shumëfish më të ulët. Rasti i Ekonomikut ngjan me dështimin për të hedhur në erë urën prej beton armeje mbi lumin Berzina më 5 korrik 1941. Xhenierët sovjetikë dështuan në minimin e suksesshëm të urës, sepse për arsye politike komandanti i xhenierëve u pushkatua nga policia politike e Stalinit dhe u zëvendësua ditën që do minohej ura me një besnik politik me gradën ‘politruk’ (instruktor politik), si rezultat ura u dëmtua por nuk u shkatërrua plotësisht në asnjë segment të saj. Ky dështim bëri, që tanket e divizionit të 7 Panzer kaluan mbi urë me pak vështirësi.

Hedhja në erë e ish-Bashkisë së Tiranës

Shembuj nga Shqipëria kemi plot. Pa përmendur plasjen masive prej gjysmë milion metrash kub në kohën e ndërtimit të Hidrocentralit të Fierzës, po kujtoj këtu hedhjen në erë të ndërtesës së ish-Bashkisë (më vonë Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor) të Tiranës në vitin 1980. Godina e ndërtuar me beton, me çimento të markës Portland 500 të firmës së famshme Striccioli-Fortuzi, me hekur ndërtimi special të prodhimit Ansaldo, me mure me dopjo-tullë masive, me beton të solidifikuar, me kalimin e 4-5 dekadave, u shkatërrua me shpërthim të kontrolluar pa asnjë problem. Nuk pati nevojë për shkatërrim me mjete mekanike. Nuk pati asnjë thyerje xhami madje edhe te Hotel Tirana, fare pranë objektit që u shkatërrua. Nuk pati asnjë ngjarje të jashtëzakonshme. [Mund të shtohej dhe një fakt tjetër, ky nga Durrësi: në vitin 2000, për shkak të rikonstruksionit të portit, xhenierët shqiptarë hodhën me sukses në erë ndërtesën solide të ndërtuar nga italianët, atë të drejtorisë së portit – shënim i “Dyrrah”-ut]. Ndërsa ndërtesa pesë-katesh me mure tek-tullë e lehtësuar (me bira), e re me beton me çimento Titan 400, me hekur skadent, prodhim ukrainas i  Zhitomirit, importuar në Shqipëri nga kontrabandistë, “rezistoi”. Xhenierët e ushtrisë shqiptare, ndonëse të goditur rëndë nga reprezaljet kundër të ashtuquajturës kastë ushtarake, e treguan veten në lartësinë e detyrës 34 vjet më parë. Sot bënë fiasko me një palo godinë karabina.

Apel për kujdes

Sinqerisht shpresoj që pësimi të bëhet mësim. Dhe le të kujtojmë se shpërthimi i Gërdecit ishte, jo vetëm pasojë e hajdutërisë, tamaqarllëkut shkëlzenian pa kufi, kontrabandës e trafiqeve të armëve, por edhe rezultat i shpërfilljes kriminale të këshillave të ushtarakëve xhenierë profesionistë. Meqë jemi këtu i kujtoj Kryeministrit Rama, se barku, që polli Gërdecin, nuk është shterpëzuar ende. Duhet të hapin sytë se nuk është çudi, që Gërdeci të përsëritet andej nga Nikla. Ka lënë shumë peshqeshe prapa Imam ballajdia ,njëlloj si centauri që i dhuroi  Heraklitit mantelin e vet të përgjakur.

* Shkrimi, në këtë variant, iu dërgua për botim “Dyrrah”-ut nga vetë autori.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/