Nga Vali Qyrfyçi

Fillimisht, shok. Një shok i fortë që të mpin gjithçka. Nuk u vra thjesht një grua, një nënë, një bijë, po dhe një grua e veshur me imunitetin, pushtetin që jep toga e zezë. Bashkë me të u vranë dhe shpresat e shumë vajzave dhe grave që jetojnë çdo ditë nën presionin e dhunës nga partnerë, ish-bashkëshortë, apo dhe familjarë të tjerë meshkuj.

Më shumë se e trishtë, vdekja jote Fildes. Fati të lidhi me një burrë që nuk diti kurrë të ishte bashkëshort dhe as baba. Të goditi jo vetëm fati, po dhe shteti, dhe gjyqësori të cilit i përkisje dhe shërbeje. Sa herë ke vuajtur në heshtje pafuqinë tënde për të mbrojtur veten në një sistem të kalbur, inekzistent ndaj gruas dhe të dobëtit, pa mekanizma realë mbrojtjeje ndaj grave që dhunohen çdo ditë?! Sa herë je vërtitur pa shpresë, pa rrugëzgjidhje përballë agresivitetit të njeriut për të cilin thure shumë ëndrra dhe e bëre baba?! Sa herë je thyer brenda vetes në çdo të rënë dere, telefoni, zë burri që të dukej si i tiji?! Sa herë nuk ke ditur ku të përplasësh kokën e të kërkosh shpëtim e sa herë je tallur, ke qeshur me ata që dalin në media dhe flasin për mekanizmat mbrojtës ndaj viktimave të dhunës në familje?! Sa herë je ndjerë në konflikt me veten dhe drejtësinë që vendosje ti dhe kolegët e tu për viktimat e dhunës në familje?! Në konflikt të thellë mes personales dhe profesionales. Asaj që jeton dhe asaj që përfaqëson. Sot, dëgjova se kishe kërkuar urdhër mbrojtjeje, po më pas nuk ishe paraqitur në seancë dhe rrjedhimisht nuk e kishe marrë urdhrin e mbrojtjes. Ti më shumë se kushdo tjetër e dije, provoje në kurriz pafuqinë e zbatimit të tyre.

Me zemrën që rregëtinte ende si e zogut brenda në kraharor u ndjeve e fuqishme kur për ngjarjen e dhunshme të dy viteve më parë në Golem, në sy të djalit, ai u dënua me burgim. Vitet e tij në burg ishin vite paqeje, shpëtimi për ty, po dhe këtë herë dështove. Nuk e llogarite amnistinë e bekuar e të gjithë zinxhirin e atyre burrave që vendosin për të. Ndjeheshe dëshpërimisht e rrezikuar dhe nuk gjeje shpresë, mbështetje gjëkundi. Ti, gjyqtarja. Sepse e dije që një ditë ai, i vetëshpalluri pronar i jetës tënde do të shfaqej dhe do të të nxinte jetën çdo ditë, ndërsa ti për hir të fëmijëve, shoqërisë dhe profesionit duhet të hiqeshe ndryshe. Duhej të tregoje forcë, fuqi, zotësi për të zotëruar situatën ekstreme që mendja patriarke dhe e tredhur e ish-burrit tënd të shkaktonte. Duhej të buzëqeshje e të vazhdoje përpara, në ritmin e jetës, pasi tej mureve që kishe ngritur askush nuk donte t’ia dinte që ti ishe një prej tyre. Një prej atyre grave që vuajnë çdo ditë, shpesh bashkë me fëmijët e tyre, përndjekjen, persekutimin. Ai mbase të përndiqte me telefonata kërcënuese dhe kur ishte në qeli. Ndaj guxove dhe iu drejtove ambasadorit amerikan me të vetmen shpresë se do të mund të vinte në lëvizje diçka, po ndoshta dhe me frikën se ajo letër do të keqkuptohej prej diplomatit të lartë në vendin tënd të dashur që kurrë nuk të ofroi siguri, siguri nga një burrë i vetëm që ndonëse e kishe larguar nga jeta jote me divorc nuk të ndahej. Ndjehej zoti yt dhe u bë. Të mori jetën. Po jo vetëm ty. Ai na e mori jetën të gjithave nga pak.

Me ty u vranë sa e sa shpresa, sa e sa zemra, sa e sa gra që jetojnë në të njëjtat kushte me të tuat, deri pak para vrasjes. Kurban Bajrami erdhi kaq trishtë, pa ty. Po reagimi nuk duhet të mungojë. Duhet reaguar fort, burra dhe gra, dhe njëzëri, ndryshe dhuna, vrasjet do të vazhdojnë dhe më tej.

Ti duhet të jesh kufiri Fildes, ose do të bëhesh fillimi i fuqizimit të dhunuesve, ose fillimi i një ndëshkimi ligjor e real për këtë kategori meshkujsh. Sa burra agresivë janë ndjerë sot të fuqishëm e i kanë treguar forcën gruas duke i ulur kokën, për ta nënshtruar dhe më shumë? Sa gra ke bërë sot dhe më të pashpresa e të pafuqishme për të dalë nga rrethi vicioz i dhunës e dashur? E ke menduar vallë çfarë shkaktove me vrasjen tënde, “pafuqinë” tënde për ta ndryshuar këtë realitet? Ti duhet të jesh fillimi i reflektimit dhe për vetë nënat që rrisin djem me frymën e superioritetit ndaj femrave. Ti duhet të jesh vija ndarëse për të sjellë një ndryshim tek të gjithë ne, Fildes. Po vuajmë një traumë të madhe, në heshtje.

Reagimi le të vijë së pari dhe real nga legjislativi që duhet të braktisë shfaqjet deklarative në parlament, qëndrimet e bujshme politike dhe të ndërmarrë nisma konkrete ligjore për të parandaluar dhunën ndaj gruas. Aplikimi i kuotave në politikë, qeveri dhe parlament nuk mjafton. Gratë po vriten. Jeta e tyre është në zgrip. E pasigurt. Dhe problemi nuk është thjesht ndërprerja kriminale e jetës, po dhuna në të cilën jetojnë çdo ditë. Ato vdesin çdo ditë nga pak. Jetojnë nën frikën e asaj që mund të ndodhë. Ndaj duhen ashpërsuar më tej dënimet për veprën penale të dhunës në familje. Nuk duhet të ketë rrethana lehtësuese për të.

Gruaja, paqja dhe siguria. Fjalë dhe koncepte të mëdha e thelbësore, po siguri nuk ka. Legjislatura e re duhet të reagojë dhe të mos heshtë. Larg deklarata politike që mbeten aty, po me nisma ligjore në mbrojtje të jetës dhe të ardhmes së përbashkët.

Të qoftë dheu i lehtë Fildez! Shko e bukur dhe dinjitoze siç ishe në botën tjetër. Ashtu siç ishin të gjitha ato që nuk janë më. Po ti, gjyqtare këtej na le një goditje të fortë që duhet të na shkundë të gjithëve, së pari parlamentarët, përfaqësuesit tanë, së dyti gjyqësorin tënd e tonin, policinë, strukturat sociale dhe shëndetësore, si dhe shoqërinë civile, që gjithnjë ka qenë promotor për të ngritur e vënë në lëvizje strukturat, ato të përgjumurat, indiferentet. E nëse hallkat nuk lidhen, zinxhiri nuk ekziston. Nuk funksionon. Timoni këtë herë premton ndryshim, Fildes. Qofsh 'kurban' drejtësie për qindra, mijëra gra që vuajnë situata të ngjashme në heshtje, pasi e dinë që nuk ka kush i mbron. E kjo duhet të ndryshojë.