Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, vizituan mbrëmjen e kaluar kroçerën “Gemini”, me të cilën dje paradite mbërritën në port 699 turistë nga Turqia.

Ata u pritën nga Drejtori i përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së, Afrim Bakaj, i cili i njohu me disa nga ndryshimet pozitive në kalatën 5 ku ankorohen anijet e mëdha turistike.

Ministri Klosi vlerësoi përgatitjet në kuadër të projektit “Smile Albania”, një instalacion i të cilit është realizuar edhe në hyrje të Terminalit perëndimor.

Në mjediset e kroçerës “Gemini”, ministri Klosi dhe kryebashkiaku Dako u pritën nga kapiteni dhe drejtues të anijes, që vlerësuan veçanërisht mikpritjen në portin më të madh të vendit tonë.

Klosi u njoh me itineraret e anijes turistike, duke kërkuar më shumë lundrime drejt porteve të vendit tonë. Ai shtoi se sitet turistike në disa nga qytetet historike po vizitohen nga mijra turistë të huaj.

Një ndjesi mjaft të këndshme u kanë lënë turistëve nga Turqia edhe njohja me guidat dhe fletëpalosjet turistike të vendit tonë pas zbritjes në port, nga të rinjtë e përfshirë në projektin “Smile Albania”.