Zyrtarët e ministrisë së Brendshme kanë ndërmarë një aksion i cili ka si qëllim ndërgjegjësimin e shtetasve shqiptarë që të mos abuzojnë me të drejtën e lëvizjes së lirë për të kërkuar azil në vendet Europiane. Ndaj edhe në pikat kufitare ka nisur shpërndarja e fletëpalosjeve.

Zv.ministrja Rovena Voda, u bëri thirrje qytetarëve që të mos shkelin rregullat e lëvizjes së lirë pasi shanset për të përfituar azil janë zero.

“Sot nëpërmjet shpërndarjes edhe të këtyre fletëpalosjeve që do t’u vihen në dispozicion të gjithë udhëtarëve shqiptarë, kërkojmë që t’i ndërgjegjësojmë ata që të plotësojnë me përpikëri kriteret e lëvizjes së lirë në të gjitha vendet e Bashkimit Europian; në mënyrë që Shqipëria të mos ndjehet e rrezikuar nga fenomeni i azilkërkimit, i cili është ngritur si një shqetësim nga disa prej vendeve të BE-së, deklaroi zv.ministrja e Brendshme. Të jemi sa më të rregullt, sa më strikt dhe mjafton të rikujtojmë dhe një herë faktin që Shqipëria është një vend i origjinës së sigurt. Dhe sigurisht është një vend me shumë shanse dhe mundësi për të gjithë qytetarët shqiptarë’’, shtoi ndër të tjera ajo

Vetëm brenda një muaji 177 shtetas shqiptarë janë kthyer në atdhe pasi kërkesa për azil iu është refuzuar.