Presidenti i Republikës, Ilir Meta të martën ka pritur në një takim Ambasadoren e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Mësohet se Vlahutin i ka dorëzuar Presidentit Meta, Strategjinë e re të Komisionit Evropian, “Një perspektivë e besueshme zgjerimi dhe një angazhim i thelluar i BE-së në Ballkanin Perëndimor”, si dhe Planin e Veprimit në mbështetje të transformimit të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti vlerësoi synimin për të pasur një angazhim gjithnjë e më madh si nga vendet e rajonit ashtu edhe nga Bashkimi Evropian në proceset transformuese drejt anëtarësimit të plotë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ai nënvizoi se Strategjia e re e Komisionit Evropian është një dokument që duhet të lexohen me vëmendje nga faktorët politikë shqiptarë për t’u pasqyruar në përpjekjet dhe angazhimet e tyre drejt synimit të përbashkët të integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimit Evropian.