Arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, ishte një ndodhi e paralajmëruar nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili deklaroi më 15 shkurt se do të kishte arrestime lidhur me akuzat për abuzime dhe tjetërsime të pronave.

Ndërkohë më 17 shkurt nga qyteti i Lezhës, Xhafaj tha se shumë shpejt përgjegjësit do të dilnin para drejtësisë.

“Dua t’ju them që jam i shqetësuar, ua thashë edhe njerëzve të Policisë për disa abuzime që janë bërë me tokat këtu, me pronën publike, me vijën bregdetare në zonën e Lezhës posaçërisht. Besoj që hetimet që janë duke u zhvilluar, janë në proces, besoj që do të jenë efeciente, do të jenë të suksesshme. Janë hetime që po bëhen bashkë me Prokurorinë këtu dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Dhe unë shpresoj dhe besoj fort që shkaktarët e kësaj batërdie do të vendosen përpara përgjegjësisë penale”, – tha në atë kohë Xhafaj.