Kryeministri i vendit Edi Rama e quajti audio-përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike, për vëllain e ministrit të Brendshëm një maskaradë të mirëfilltë destabilizuese me qëllim që të pengohen negociatat e Shqipërisë me BE.

Duke marrë kështu në mbrojtje ministrin e tij të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Rama tha se ka kërkuar një hetim të plotë jo vetëm nga autoritetet shqiptare por edhe nga ekspertë të huaj, për të vërtetuar autencitetin e asaj videoje, që siç tha, PD-ja e mbron si origjinale.

"Kjo është maskaradë e mirëfilltë destabilizuese, për ti thënë Europës që Ministria e brendshme është organizata mëmë e trafikut të drogës. Është për të thënë se sa të jetë Rama kryeministër, Ministria e Brendshme nuk do drejtohet nga njeri tjetër, veçëse nga eksponentë të botës së krimit global. Maskarada meriton një përgjigje të qartë. Paralelisht me kërkesën për një hetim imediat për materialin unë kam kërkuar nga një agjenci e specializuar të hetojë për autencitetin e këtij materiali."