Për liderin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, Nazer Seiti, personi I dosjes “Habilaj” që ka alarmuar jo vetëm drejtësinë, por edhe politikën shqiptare, do të rrëfente shumë për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, në trafikun e drogës.

Basha tha se Seiti, i cili u ekstradua në Itali në mënyrë të papritur, teksa njëherësh ishte në hetim për llogari të prokurorisë shqiptare, do të tregonte se sa para fitonte Tahiri nga kjo veprimtari kriminale.

“Një moment të paprecedent kur shteti shqiptar 5 apo 6 institucione kanë rrëmbyer dëshmitarin kyç të dosjes Tahiri-Habilaj. Edi Rama ka zhurmuar këtë megaskandal. Rrëmbimi i Nazer Seitit është më i rëndë se publikimi i përgjimeve për Tahirin nga antimafia italiane. Është ekstraduar kur avokati i tij po niste procedurat për ta shpallur si i penduari i drejtësisë, pra ai do pranonte të rrëfente në detaje bashkëpunimin dhe bashkëpunëtorët. Llogaritari i bandës, njeriu që disponon sa para shkuan tek Tahiri, sa tek policia në momentin që avokati u vu në lëvizje u rrëmbye. Ligji shqiptar ndalon ekstradimin e një personi në hetim”, – u shpreh Basha i ftuar në “Studio e Hapur” në News 24.

Ndërkohë, Basha bëri publike edhe disa dokumente që sipas tij, faktojnë se ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, gënjeu për ekstradimin e Nazer Seitaj. Basha tha se financieri i Habilajve është arrestuar me urdhër të prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe nuk mund të ekstradohej sepse ishte në hetim nga autoritetet shqiptare.

“Ky person nuk mund të ekstradohet dhe për një arsye të thjeshtë. Sa kohë është në hetim. Këtu tek ju ka thënë ministri i brendshëm tha se u arrestua me 20 tetor me urdhër të Interpolit. Ky është një mashtrim. Ja ku e keni dokumentin e policisë Vlorë, procesverbali kur ky ndalohet me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale për të cilën po hetohet Tahiri dhe Habilaj. Ky është dokumenti që e vërteton. Xhafaj dy ditë më parë gënjeu, sepse ai e ka këtë dokument. Skandali është edhe më i thellë. Ky proces ka nisur 2 herë dhe filtrat e shtetit kanë funksionuar dhe kanë thënë që ky person nuk mund të ekstradohet sepse Prokuroria e Krimeve të Rënda po e heton. Është një mashtrim bajat i rëndomtë sepse Ministrja e Drejtësisë ka nënshkruar 3 letër-porosi për prokurorinë e Catanias. Janë gjurmët e gishtave të një kupole mafioze për të ndihmuar Saimir Tahirin dhe çështja e tij të zvarritet apo mundësisht të mbyllet çështja”, deklaroi Basha.