Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mban fjalim përpara protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë.

Lulzim Basha: “Sot më shumë se kurrë sytë tanë kërkojnë dritën që vjen nga Perëndimi, edhe pse ajo shkëlqen nga larg. Sot jemi mbledhur me qindra mijëra për etë treguar se jemi europianë. Sot nga ky shesh i mbushur si kurrë më parë, ne dëshmojnë se nuk pranojmë autokracinë, se nuk mbyllim sytë përpara drogës.

Kohë më parë popullit ju premtuan vende pune. Të vetmet që u hapën janë ato në fushat e drogës. Kohë më parë këtij populli ju premtua drejtësi, por e vetmja drejtësi që kjo qeveri solli është mbrojtja për kriminelët. Ndaj sot shqiptarët largohen nga vendi i tyre.

Rilindja është projekti i një njeriu urrejtës i lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Etja për pushtet e futi Rilindjen në hendekun e shkatërrimit të kombit, në rrugën e krimit dhe të drogës. Rilindja u ngrit mbi aleancën e krimit për para, mbi zëvendësimin e shtetit të së drejtës me sundimin personal arrogant, mbi përqëndrimin e të gjitha pasurive të vendit, mbi propagandën dhe dezinformimin e shfrenuar për të fshehur të vërtetën. Rilindja ishte që në ngjizje një projekt kriminal.

Ka vetëm një rrugë, largimi i kësaj qeverie nga njerëzit, nga populli i bashkuar. Në këto 30 vite udhëtimi ynë politik ka qenë plot ulje-ngritje. Sot ne nuk kërkojmë thjesht ndryshimin e qeverisë, por ndarjen e politikës nga krimi, nga korrupsioni, nga e keqja. Ne sot kërkojmë një qeveri që punon për njerëzit. Por asnjë qeveri nuk bëhet vet e mirë. Pushtetin e bën të mirë vetëm frika nga populli. Të përpara janë vendet ku qeveria e ka frikë popullin, të tjera janë vende ku populli e ka frikë qeverinë.

Ne duhet të çlirohemi nga përpjekja për të gjetur udhëheqës të mëdhenj. Shqipëria ka nevojë për udhëheqës normalë, që sillen si europianë, dhe nëse nuk sillen si të tillë duhet t’i ndërrojë sa më parë".