Kreu i PD-së Lulzim Basha, ka vizituar familjen e 52-vjeçarit, Agim Buci i cili u vra mbrëmjen e kaluar në dyqanin e tij gjatë përleshjes me grabitësit, ndërsa bashkëshortja, Merita, mbeti e plagosur.

Basha tha se pasiguria e bizneseve në vend është e madhe duke akuzuar qeverinë se është në shërbim të kriminelëve.

"Pasiguria e familjeve shqiptare, pasiguria e biznesit të vogël ka marrë përmasa torinditëse ku në më pak se 4 javë jo vetëm grabitjet janë bërë lajmi i përditshëm, por për fat të keq grabitjet janë shoqëruar me vrasje barbare, sic ishte rasti i mbrëmshëm në Kamzë apo ai në Fier para disa javësh. Kjo është dëshmi e dorëzimit dhe dështimit të shtetit dhe rendit publik dhe një apel i fortë për të lënë paradat, fjalimet boshe dhe proceset fasadë sepse nuk ka polici në shërbim të qytetarëve kur kemi ministra në shërbim të kriminelëve."