Dalin shifrat e para të tre ditëve të përmbytjes së madhe. Drejtori i Koordinimit të Prefekturave në Ministrinë e Brendshme, Bekim Murati bën publik bilancin e dëmeve dhe angazhimin e shtetit për përballimin e tyre.

I ftuar në emisionin “Debate në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Murati deklaroi se menaxhimi i këtyre përmbytjeve nuk mund të krahasohet me menaxhimet e viteve 2010, 2011, 2013. Madje përpara se të jepte shifrat e përmbytjeve në datat 2, 3 dhe 4 dhjetor, ai bëri një akuzë të fortë për periudhën e 7 viteve më parë.

Gjatë menaxhimit të përmbytjeve në vitin 2010, heklikopterët u përdorin si taksi për politikanët”, tha Murati.

Sipas tij, shifrat e shpenzimit të karburantit për helikopterë janë tmerrësisht të larta.

Më pas Bekim Murati dha shifrat më të rëndësihme për datat 2, 3, 4 dhjetor, dhe punën që kanë bërë instancat e shtetit.

Sipas Muratit, dëmet e llogaritura janë 3620 shtëpi të dëmtura, 25.412 hektarë tokë të përmbytur, 77 shkolla, 5 stacione ujësjellësi, 14 argjinatura, 12 qendra shëndetësore dhe 840 bagëti. Në operacion morën pjesë gjithsej 6866 forca prej të cilave 5464 forca policore dhe 1402 forca të ushtrisë.

Ndërkohë si pjesë e të gjithë këtij operacioni ishin 1080 mjete lëvizëse, nga të cilat 281 mjete të ushtrisë dhe 799 mjete të policisë.