Partia Demokratike përmes një deklarate zyrtare kërkoi nga kryeministri Edi Rama që të shkarkojë nga detyra kryebashkiakun e majtë të Hasit.

Sipas PD-së, deri në realizimin e kësaj kërkese Edi Rama do të njihet si urdhëruesi i dekorimit të atentatorit të Azem Hajdarit, për të cilin do të mbajë përgjegjësi personale!

Reagimi i plotë:

Asgjë nuk mund ta justifikojë Edi Ramën në vendimin kriminal për të dekoruar njeriun që qëlloi me armë brenda sallës së Parlamentit Liderin e Lëvizjes Studentore Azem Hajdari!

Firma e prefektit nuk është zgjidhja! Është vetëm një mjet që Edi Rama të mos marrë përgjegjësi!

Edi Rama nuk mund të lajë duart si Ponc Pilati dhe të fshihet pas Prefektit, sepse Kryetari i Bashkisë së Hasit është i tij, se ai ishte në dijeni të propozimit të kryebashkiakut të tij dhe, mbi të gjitha, Edi Rama ka në dorë ta shkarkojë atë.

Që të tregojë distancim të vërtetë prej vendimit kriminal, Edi Rama duhet ta shkarkojë sot Kryetarin e Bashkisë së Hasit, përfaqësues i Partisë Socialiste, i zgjedhur nga Edi Rama.

Të ruajë të njëjtin standard si me këshilltarët e Kukësit që morën pjesë në protestë, të cilët, në pamundësi për t’i shkarkuar, i përjashtoi nga Partia Socialiste.

Derisa të bëjë këtë akt të vërtetë distancimi, Partia Demokratike e konsideron Edi Ramën si urdhëruesin e dekorimit të atentatorit të Azem Hajdarit, për të cilin do të mbajë përgjegjësi personale!