Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, akuzoi sot mazhorancën se po përpiqet të kapë postin e Prokurorit të Përgjigjëm për të mbyllur të gjitha çështjet problematike.

“Qëllimi është kapja e prokurorit të përgjithshëm, nëpërmjet shfrytëzimit të këtij boshllëku kushtetues që kanë lënë vetë…Sigurisht qëllimi është që nëpërmjet një prokurori që vënë ata, të mbyllin të gjitha çështjet që u djegin, përfshirë jo vetëm skandalet e karakterit korruptiv, por edhe skandalet e karakterit kriminal siç është rasti i Tahirit.”

Reagimi erdhi pasi Partia Socialiste duket e vendosur të procedojë pas datës 7 dhjetor për zgjedhjen e një prokurorit të ri të përgjithshëm në vendin e Adriatik Llallës.

“Kushtetuta përcakton këshillin e lartë të prokurorisë si organin që deklaron fundin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Pra organi kushtetues është këshilli i lartë i prokurorisë. Fakti që ka një boshllëk kushtetues për këtë çështje, është një problem që nuk mund të zgjidhet as me deklarata, as me memo dhe as me ndonjë ligj apo rregullore. Sigurisht që zgjidhja është e thjeshtë, të çojnë siç kanë bërë me KLGJ-në, Këshillin e Lartë Gjyqësor, të çojnë dhe shoqëruesit e shoqërisë civile që i zgjedhin vetë, për të kompletuar Këshillin e lartë të prokurorisë dhe pastaj procesi funksionon”, tha Bylykbashi për gazetarët jashtë ambienteve të kryesisë së Kuvendit.