Pas 48 orësh negociata në një hotel privat të Korçës me homologun e tij grek Nikos Kotzias, ka ardhur reagimi i parë për mediat i ministrit të Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. Në mbrëmjen e së shtunës, Bushati tha se bisedimet ishin në nivel të kënaqshëm dhe se priteshin rezultate konkrete.

“Dua t’ju përgëzoj për durimin që keni treguar. Së pari dua t’ju them se këto nuk janë bisedime të lehta pasi problematika është e gjerë dhe shtrirë në kohë pasi bëhet për 70 vjet histori. Edhe në Korçë kemi bërë progres të qenësishëm.

Nesër gjithashtu do të bëjmë një takim të rëndësishëm për vijimin e bisedimeve. Nuk ka asgjë sekret se temat janë thënë publikisht nga të dyja palët. Thjesht jemi në procesin e shkëmbimit të mëtejshëm të argumenteve dhe shpresoj që do të ecim drejt një zgjidhjeje konkrete”, tha ministri i Jashtëm Bushati në një prononcim të shkurtër për gazetarët.