Deputeti Tom Doshi, të cilit i është ndaluar hyrja në SHBA nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ka kërkuar Vetting edhe në politikë, në një prononcim për mediat pas mbylljes së seancës së sotme plenare.

I pyetur nëse prekën shumë, Doshi u shpreh se i bie të shpallen të gjithë politikanët 'non grata'. Ai kërkoi hetimin e tyre duke nisur nga shkollimi i fëmijëve deri tek jeta e luksit.

"Unë propozova që të bëhet Vetting edhe në politikë siç bëhet në gjyqësor dhe në prokurori për Reformën në Drejtësi. Po i bie me kalu të gjithë “non grata” n.q.s i bie me u bë Vetting. Kërkoj të prononcohet edhe DASH për akuzën që më kanë bërë. Por unë ju garantoj ju që nëse bëhet Vetting edhe në politikë nuk kalon as gjysma e Parlamentit. Të fillojnë të hetohet qysh tek shkollimi i fëmijëve, që i kanë shkolluar të gjithë jashtë, ku janë të ardhurat e tyre, tek vilat, tek makina, tek jeta e luksit që bëjnë dhe ta shikojmë se si dalin."