Të majtë dhe të djathtë ishin pro dekretit të Nishanit për rrëzimin e ligjit të mbetjeve. Duket se mazhoranca tashmë është bindur për të mos e zbatuar këtë ligj me përjashtim të kryetarit dhe hartuesit të ligjit, Eduard Shalsi. Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese u hodh në votim dhe të gjithë votuan pro dekretit, ndërsa Eduard Shalsi dhe Besnik Bare abstenuan.

“Nuk e ndryshoj idenë time pasi bëhet fjalë për import të lëndëve dytësore”, tha Shalsi. Ai shtoi se “Nuk bëhet fjalë për import mbetje. Por import i lëndëve të para për industrinë e riciklimit. S’është kjo mënyra sesi ne debatojmë me njëri-tjetrin, duhet të flisnin më shumë specialistët se deputetët. Vendimi do merret në seancën e së enjtes”.

Pak ditë më parë në këtë komision, Shalsi njoftoi se ligji do të tërhiqet nga punimet e Parlamentit, por PD dhe LSI ishin kundër. Ata thanë se nuk ka terheqje, por duhet votuar dekreti i Nishanit për rrëzimin e ligjit.